Viti i ri mësimor, Bashkia e Elbasanit vë në dispozicion ambientet me hapësira të mëdha

Rreth 200 shkolla, kopshte e çerdhe të Bashkisë së Elbasanit po bëhen gati për fillimin e vitit të ri mësimor 2020-2021. Në një periudhë jo të zakonshme të diktuar nga Covid 19, godinat duhet të plotësojnë kushte shtesë per nxeneit dhe femijet sidomos për sa i përket higjienës dhe ruajtjes së distancës.

Për t’i ardhur në ndihmë Zyrës Arsimore Rajonale, Bashkia e Elbasanit ka vënë në dispozicion edhe mjediset e saj si: Teatri Skampa, Pallatit i Sportit, Qendra Rinore etj., në rast se shkollat do të kenë nevojë për ambiente, nisur nga fakti që do të ruhet distanca mes nxënësve.

“Për sa i përket numrit minimal, mbetet të përcaktohet mirë nga Ministria dhe Drejtoria Rajonale. Ne kemi në dispozicion të gjithë ambientet me hapësira të mëdha që në çdo moment janë gati për çdo emergjencë ku do të nevojitet një mësim masiv”, thotë për A2 Vesa Liço, nënkryetare e bashkisë Elbasan.

Ndërkohë, në të gjitha shkollat po vijon procesi i dezinfektimit të ambienteve, ndërsa në ato shkolla që nuk mundësohet furnizimi me ujë të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit ka nisur hapja e puseve pranë oborreve të këtyre shkollave.