Sunday , November 27 2022

Vetëvrasja e 52-vjeçares në Elbasan, motra: I thyen dhëmbët dhe e kapnin zvarrë për flokësh, policia tallej

Tronditëse ishte ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Elbasan, ku 52-vjeçarja Fatbardha Likrama u hodh nga pallati, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ditën e sotme motra e saj Flutura Kalemaj ka rrëfyer për mediat se e ndjera kishte rreth 28 vite që dhunohej sistematikisht nga burri dhe gjithë familjarët e tij.

Flutura, mes lotësh tregon se çfarë ndodhi një ditë para se e motra t’i jepte fund jetës së saj, duke theksuar se policia e Elbasanit nuk mori asnjë masë dhe pas denoncimit.

Teksa bën thirrje për drejtësi, e motra e viktimës i druhet asaj që mund të ndodhë në vijim mes dy familjeve, duke shtuar se janë kërcënuar me jetë.

Dëshmia e së motrës:

“Motra ka 30 vite martesë. Dhuna ka nisur që vitet e para. Rrih vjehrra, vjehrri, kunata e burri, e di gjithë lagjia. E shkreta më tha se i ishin turr vjehrrit dhe e kishin kapur nga flokët dhe e kishin tërhequr zvarrë. Herën tjetër erdhi te unë e më tregoi, i shoqi i kishte thyer dhëmbët. Këto kanë pas një dyqan, më tha një komshie Bardhën tha e gjuajti kunata bam dhe kësaj i kishte rënë të fikët te dyqani.

Vezirja komshia e kishte tund motrën: O Bardha o Bardha! Ka dëshmitarë për këtë punë, motra e burrit e ka rraf. 30 vite kështu!

Ai e gjeti motrën time siç kishte dalë nga barku nanës, e mirë e bukur, i kishte të gjitha. Vitin e parë njëherë mirë pastaj i thoshte vjehrra pse e ke marrë nusen çame. Gjithë ky rrugëtim deri te vetëvrasja. Ishte bërë dyll e verdhë këto ditët e fundit e më tha jam pa bukë, kishte blerë burri sallam e i dhashë se po i bie të fikët. Edhe stomaku i dhimbte, si duket e kishin goditur.

Bardha atë ditë bëri dhe 3 tepsi me byrekë, i thashë të lahej në dush në darkë. Në 5 e 20 erdhi ky çuni i vogël i tha hajde o ma në shtëpi, motra i tha për çfarë të vij. 24 vjeç është ai dhe nga ora 6 më tha motra po iki se do marr ca rroba te shtëpia.

U vonua dy orë dhe erdhi, më tha se çuni i madh ia kishte mbyllur derën. Vajti buça te motra thoshin atje. Erdhi dhe më plas 3 çanta me rroba këtu, më tha o do ndahem ose do vras veten. Më tha do vras veten, i shkofsha atje afër.

Mendo për veten tënde jo për fëmijët i thashë. Shko në polici i thashë.

U vonua shumë kur iku dhe në orën 1 teksa flisja me vëllain në telefon të hënën, bam bam dera. Krim të kishte bërë nuk e kishin mbajtur aq gjatë, ajo tha se më dhanë urdhër mbrojtjeje.

Ishin të gjithë policë, hynin e dilnin, talleshin me mua. Erdhi më pas ditën tjetër ai djali vet si qen i tërbuar: Pse ma mbani mamin?!

I thashë ka urdhër mbrojtjeje. Nga frika iku e shkreta sërish në shtëpi.

Bardha ime u hodh nga ballkoni, edhe policia na ka kërcënuar. Ky i vogli më pati thënë motra kishte rrahur të atin kohët e fundit. Policia nuk mori masa për të mbrojtur motrën time, kur dhashë deklaratën unë thashë se ajo ka pasur shenja në trup. Shteti shqiptar vrau motrën time, po burrin pse e lënë jashtë. Pse e lënë të lirë atë kriminel?

Ajo ishte dele, aq e urtë. Zot na fal se çdo shtëpi ka llafe po të më binte mu…Na ka kërcënuar dhe djali i madh Konti dje e tha llafin e fundit. Jemi të ngujuar! Duam drejtësi nga shteti, motra ime në morg e ai kriminel jashtë.”

Advertisement