“Verë në kopshte”/ Vogëlushët vijojnë aktivitetet për Ditën së Verës     

Festa e Ditës së Verës ka vijuar edhe sot me aktivitetet plotë ngjyra të sjella aq bukur nga vogëlushët e kopshteve të qytetit. Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë z. Gledian Llatja, u zhvillua në qendrën Kulturore të Fëmijëve aktiviteti “Verë në Kopshte”, ku fëmijët ishin kryefjala dhe sollën një atmosferë të gëzueshme për prindërit dhe të afërmit që ndodheshin në sallë dhe ndiqnin me lot në sy performancën e të vegjëlve të tyre.

Me çiltërsinë e tyre ata performuan përpara të pranishmëve këngë, valle dhe recitim. Nën drejtimin e stafit të arsimit parashkollor, vogëlushet kanë performuar mjaft bukur, vjershat, këngët, lojëra të ndryshme si edhe dramatizime në fokus të të cilave kanë qenë për lulet, për dashurinë ndaj njëri-tjetrit e për ardhjen e Verës.

Një skenë e vërtetë me plot ngjyra dhe lule, është krijuar vetëm për vogëlushët, duke i kthyer ata në artistë të vërtetë. Me shumë profesionalizëm për moshën e tyre, vogëlushët realizuan një shfaqje të vërtetë, të interpretuar me mjaft dashuri.

Me ciltërsinë dhe naivitetin që i karakterizon, vogëlushët janë të parët që nisin festimet dhe të fundit që i mbeten në mendje, duke i krijuar eksperienca të reja dhe emocione të bukura dhe të paharruara.