Deputeti demokrat i qarkut Elbasan, Dashnor Sula kritikoi ashpër dy fraksionet e PD për situatën e fundit të krijuar mes tyre. Në studion e “News 24”, ai e quajti të nxituar përjashtimin e 4 kolegëve demokratë nga grupi parlementar me urdhër të Enkelejd Alibeajt, ndërsa mbledhjen e firmave për shkarkimin e tij e quajti jo të rregullt. Ai zbuloi se grupi parlamentar demokrat nuk u mblodh fare për përjashtimet. “Grupi i PD nuk është mbledhur. Vendimi për përjashtim u mor para një viti. Vendimi është i nxituar. Unë nuk jam dakord me mënyrën si procedohet për të zgjedhur kryetarin e grupit parlamentar të PD. Nuk mund të mblidhen firmat rrugëve apo kafeve. Duhet të ishte një proces që vinte normal”, u shpreh fillimisht Sula.
Megjithatë, ai kritikoi Enkelejd Alibeajn për mënyrën se si po e menaxhon situatën në parti pas 6 marsit, duke e ngarkuar me përgjegjësi për krizën e rëndë konfliktuale brenda demokratëve. “Ka edhe të metat dhe gabimet e tij në mënyrën e komunikimit. Sjellja e tij tani nuk duhet anatemuar plotësisht, por për shkak të peshës që mori pas 6 marsit, nuk ka bërë atë që duhet të bënte për të mos ardhur në situatën e sotme”, vazhdoi më tej deputeti i Peqinit. Për sa i përket çështjes së vulës, Sula u shpreh se do të mbështesë atë palë në PD që Gjykata e Apelit të Tiranës e njeh si legjitime, qoftë dhe Berisha “non grata”. “Çfarëdo vendimi që do japin gjykatat, unë do ta respektoj. Unë nuk them që të gjithë problemin e PD e zgjidh gjykata, por kjo është një pikënisje. Nëse gjykata do t’i japë të drejtë Berishës, do të ishte budallallëk që grupi tjetër të mos i bashkohej”, foli për çështjen e vulës së PD Dashnor Sula.
Megjithatë, ai theksoi se Sali Berisha e ka në dorë bashkimin e PD. Sula e bëri të qartë se PD nuk fiton dot në 14 maj, nëse nuk arrin të bashkohet. Pavarësisht konflikteve në PD, deputeti demokrat tha se do të mbështesë kandidatët e Berishës në zonën e tij elektorale në 14 maj. “Berisha ka bërë pakte të mëdha me Nanon e Ramën dhe nuk bën dot pakt me ‘fëmijët e tij’ politikë? Nëse shkojmë në 14 maj të ndarë, fiton Rama dhe PS. Unë nuk jam dakord me këtë qasje dhe kam bërë zgjedhjen time: në zonën time elektorale do të mbështes kandidatët që kanë dalë nga primaret”, përfundoi deputeti Dashnor Sula.