Pacientët shqiptarë me Covid, nuk mund të shkojnë më për kurim në Turqi për shkak të tejmbushjes së kapaciteteve spitalore, ku nuk po munden të trajtohen qytetarët vendas të infektuar nga virusi. Sipas lajmit të publikuar nga mediat turke, bëhet me dije se kapaciteti i numrit të shtretërve në spitale ka arritur në 79.8%.
Vendimi i marrë nga Ministria turke e Shëndetësisë iu përcoll kompanive të linjës ajrore mbrëmjen e së premtes, ndërsa më pas deklarata u bë publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil e Turqisë. “Brenda kornizës së rekomandimit të Ministrisë së Shëndetësisë, sjellja e pacientëve pozitivë Covid-19 në vendin tonë me aeroplan privat është e ndaluar deri në një urdhër të dytë. Nëse ndalimi i përmendur nuk respektohet, sanksionet administrative do të zbatohen për bizneset përkatëse”, thuhet në deklaratë.
Vendimi prek edhe pacientët me Covid nga Shqipëria, të cilët për një tarifë prej 18-22 mijë euro transportoheshin për kurim më të specializuar në Turqi. Ndërkohë një natë qëndrimi në spitalet e Turqisë kushton mesatarisht 1200 euro dhe pacientët me COVID-19 shpenzonin minimalisht 15 ditë qëndrimi në spital. Gjithashtu shteti turk ka pranuar pacientë me Covid nga Iraku, Gjeorgjia, Rusia dhe qytete të ndryshme të Evropës.