Vazhdon maratona ‘Tahiri’ në Gjykatën e Elbasanit. Shtyhet sërish procesi. Arsyeja

Mungesa e gjyqtarit të çështjes, Elton Frashëri ka bërë që të shtyhet sërish seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Mësohet se vendimi për shtyrjen e seancës është konfirmuar nga avokati mbrojtës i Tahirit, Maks Haxhia.

Tahiri ka kërkuar ulje të dënimit me 1 vit e 6 muaj burg pasi pretendon se gjatë periudhës kur ai ka kryer shërbimin e provës, ka shlyer 1.6 vjet nga dënimi që shqiptoi Gjykata e Apelit.

Kujtojmë se edhe seanca e 10 ditëve më parë u shty pasi prokurori i çështjes kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me detajet e dosjes, që ka paraqitur pala mbrojtëse e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Kujtojmë se më 17 mars ish-ministri doli nga burgu për t’i dhënë të atit lamtumirën e fundit.

Bëjmë me dije se më 16 mars babai i ish-ministrit të Brendshëm, Bashkim Tahiri ndërroi jetë. Ndërkohë që lajmi është bërë publik nga vetë Tahiri, me një letër nga burgu ai mori guximin t’i ‘thoshte’ të atit se e do shumë.