Vazhdojnë punimet me intensitet të lartë/ Llatja: Po merr zhvillim investimi për Automoto Parkun dhe Lungo Fiumen

Bashkia Elbasan ka rinisur punimet për zgjatimin e rrugës “Borodin Mitarja” i cili do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve drejt varrezave publike të qytetit, por që cilësohet edhe si rruga kryesore hyrëse e automotorparkut si edhe Lungo Fiume.

Punimet të cilat kanë nisur me intensitet të lartë i ka inspektuar Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja duke i bërë edhe një prezantim të këtij projekti Drejtuesit Politik të qarkut të Elbasanit Z. Damian Gjiknuri.

“Pas rishikimit të projektit për ndërtimin e rrugës se re “Borodin Mitarja” drejt varrezave të qytetit, na u desh të ndërhynim në një vepër komplekse infrastrukturore dhe nënkalimin e saj për t’a kthyer në funksion të Automoto Parkut dhe shëtitores së Krastës buzë lumit Shkumbin.

Pak ditë më parë kemi rinisur punimet në këtë vepër të rëndësishme që i çel rrugën transformimeve të mëdha për Elbasanin dhe Shqipërinë, pasi Automoto Parku do ta ngjisë Elbasanin në një tjetër nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, tha në fjalën e tij Z. Llatja.

Aktualisht kanë përfunduar kanalizimet e ujrave nëntoksore, si edhe ndarja që do të vijë për rrugën e Automoto Parkut, por edhe shëtitores në Lumit Shkumbin.

Zgjerimi i kësaj rruge do të lehtësojë dukshëm trafikun që krijohet tek“Kryqëzimi i Cerrikut.

“Kjo zgjidhje ne na jep një akses të ri, është një kalim që do të realizohet poshtë shinave të trenit  me standarte të larta, dhe paralelisht do të nisin punimet e kanalizimeve të ujrave të zeza tek “Gorga”, si edhe në projekt është parashikuar edhe një vend i posaçëm për parking, rreth 120 poste makinash për t’i ardhur në ndihmë jo vetëm varrezave të qytetit, por edhe banorëve të lagjes Emin Matraxhiu”, shton Llatja.

Është një projekt i përgjithshëm, ku pëfshihet ndriçimi, asfaltimi, trotuaret, sipas të gjitha parametrave normale.

Për drejtuesin Politik të Qarkut të Elbasanit Z. Damian Gjiknuri, ky investim do të sjellë shumë zhvillim për qytetin e Elbasanit.

“Ky investim do ti shërbejë jo vetëm varrezave të qytetit, por edhe investimit që do të realizohet, Automoto Parkut, ku do të zhvillohen sporte të karaketereve të ndryshme, i cili nuk do t’i vlejë vetëm Elbasanit por edhe qyteteve të tjera. Është një investim i ri, i cili do të ketë një shkallë më të gjerë të përfitimit ekonomik të Elbasanit. Kjo pjesë e parë e këtij investimi, do të jetë një zhvillim shumë i mirë për Elbasanin. Po u ndërtua një gjë, zhvillimi është shumë pranë”, shtoi Z. Gjiknuri.