Pavarësisht situatës së shkaktuar nga COVID-19, që sot është çështja kryesore në të gjithë botën, nuk janë ndërprerë investimet dhe shërbimet ndaj qytetarëve në të gjithë vendin. Disa kantiere vazhdojnë punë në bashkinë e Elbasanit, mes tyre edhe ai i rikualifikimit të fasadave të objekteve të banimit përgjatë unazës së qytetit. Janë 8 objekte banimi të cilët përfshihen nga ky projekt, gjithashtu edhe godina e Arkivit Qendror. Ndërtimet e vjetra me tulla silikat dhe të pasuvatuara jepnin një pamje jo të këndshme dhe në kontrast me pjesën tjetër të qytetit.
Projekti parashikon suvatimin e këtyre godinave dhe rritjen e eficencës së banesave, gjithashtu edhe lyerjen e tyre e konceptuar si një peizazh i vazhduar ku po përdoren ngjyra të natyrës.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja inspektuan sot punimet për rivitalizimin e kësaj zone. Balla tha se “puna do të vazhdojë dhe sapo situata COVID të përfundojë, Elbasani do të presë miqtë e tij, të cilët për herë të parë nuk e festuan Ditën e Verës”.
“Në fund të këtij procesi të rivitalizimit urban do të kemi një pamje krejt tjetër. Kjo pjesë e fasadave krijonte një përshtypje dhe pamje të gabuar, për qytetin, për mua, më të bukur në Shqipëri. Në këtë këndvështrim, po punohet për të ndryshuar fasadat me një koncept modern, duke ndërthyrur natyrën, por edhe historinë e këtij qyteti”, tha ai.
Teksa Shqipëria po i rikthehet normalitetit, Balla tha se “në këtë luftë me COVID-19, detyra jonë është të rikthejmë kantieret e ndërtimeve. Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja shtoi më tej se kjo pjesë e qytetit binte në kontrast me pjesën tjetër, duke marrë parasysh se kjo është edhe pasqyra e Elbasanit, për kalimtarët që nuk hyjnë në qytet.
“Kjo pjesë e Elbasanit ka akoma nevojë për ndërhyrje. Unaza ende kalon brenda në qytet, duke shtuar edhe ndotjen. Kjo na bën të punojmë më shumë për të rritur sipërfaqet e gjelbra, por edhe për t’i dhënë një pamje më të këndshme. Rregullimi i fasadave do të vazhdojë edhe në pjesët e brendshme të lagjeve duke shtuar edhe hapësirat e gjelbra, këndet e lojërave dhe këndet rekreative”, tha ai.
Projekti i Bashkisë së Elbasanit për Rikualifikimin e Blloqeve Urbane u financua nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa ka ardhur si kërkesë e vazhdueshme edhe e banorëve të zonës.