Ultrasit të “binjakëzuar”, por mes tifozëve të Vllaznisë dhe Elbasanit plas urrejtja dhe premtimet për “luftë”

Elbasani dhe Vllaznia po përjetojnë një situatë shumë të pazakontë në rivalitetin që ka lindur mes dy klubeve. Nga një anë, grupet e ultrasve të tyre janë të binjakëzuar dhe kanë bërë çudinë duke ndjekur bashkë një nga ndeshjet mes skuadrave. Nga ana tjetër, tifozët e tjerë, që nuk u përkasin grupimeve, po bëhen gati për “luftë”.

Ndeshja e të hënës mes dy ekipeve në “Elbasan Arena” e tregoi qartësisht këtë lloj atmosfere. Që në startin e ndeshjes dhe deri në fundin e saj, tifozët e Elbasanit, ultras apo jo, shenjëstruan me kore e fyerje nga më të ndryshmet lojtarët e Vllaznisë. Sigurisht, gjyqtari në asnjë moment nuk kërkoi normalizimin e situatës dhe kjo praktikisht legjitimoi çdo lloj gjëje që dilte nga tribunat, edhe ajo VIP.

Në fund të ndeshjes, vetë lojtarët e Vllaznisë, nuk u përmbajtën ndaj tifozëve, duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë dhe kjo bëri që të shfaqeshin skena kaosi të turpshëm që u mbartën edhe në dhomat e zhveshjeve për disa momente.

“Lufta” vazhdoi në rrjetet sociale pas sfidës, mes tifozerive që nuk kursyen njëra-tjetrën me fyerje e premtime për përballje e përleshje që në takimin e radhës, teksa mbështetësit e Vllaznisë kanë dalë hapur kundër ultrasve të tyre për “binjakëzimin” duke kërkuar me ngulm shkëputjen nga çdo marrëveshje me tifogrupet e Elbasanit.

PANORAMASPORT.AL