Ul siparin “Maratona Rinore” në Elbasan, ja cila shkollë u shpall fituese

Mbrëmjen e djeshme (20 maj) në Teatrin “Skampa” të Elbasanit ka përfunduar mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve “Maratona Rinore”, e cila u rikthye për publikun e Elbasanit pas 8 vjetësh.

Në këtë maratonë morën pjesë 8 gjimnazet e qytetit, ku performuan numra të shumtë artistikë, duke nisur nga aktrimi, kënga, kërcimi dhe modelingu.

I ftuar special në këtë maratonë ishte dhe ish-Drejtori Artistik i Orkestrës Sinfonike të Radio Televizionit Shqiptar, Zhani Ciko, i cili e cilësoi këtë maratonë si një rilindje artistike në Elbasan.

“Për mua është një ringjallje të një spektakli që është idejuar në Elbasan. Kur shoh rininë që ka evoluar qoftë në veshje dhe në performancë të bëhet zemra mal”, shprehet Ciko.

Për Drejtuesin Artistik dhe ideatorin e Maratonës Rinore Edmond Rrapi kjo natë ishte emocionuese pasi për interesin e lartë që treguan nxënësit por dhe publiku i gjerë elbasanas. “Dyndja dhe interesi që ka qenë kësaj radhe nuk ka qenë as në të parën”, tha Rrapi.

Ndërsa aktori i mirënjohur i kinematografisë shqiptare Eduard Çala, i cili ka qenë pjesë e jurisë që në nisjet e para të maratonës, shprehet tepër i kënaqur me prezencën e spektatorëve, por edhe të nivelit të lartë artistik të nxënësve.

“Vazhdon të ekzistojë një dëshirë e jashtëzakonshme që rinia të vijë ta shkelë më këmbë këtë skenë këtu”, tha Çala.

Gjithashtu, një emocion të veçantë përjetuan edhe gjimnazistët, të cilët mbrëmë u dekoruan me çmime të ndryshme për numrat artistikë që kishin përgatitur, duke patur mundësinë të prekin magjinë e skenës.

Kësaj mbrëmje iu bashkua dhe humoristi i njohur Salsano Rrapi së bashku me këngëtaren e këngëve popullore Eglantina Toska, nga ku dhanë mesazhin e tyre për të rinjtë e Elbasanit, pasi hapat e para të karrierës së tyre kanë qenë nga Maratona Rinore Elbasan.