Ujë 24 orë/ Adi Qose falënderon qytetarët e Elbasanit dhe garanton rikthimin e rrugëve në gjendjen e mëparshme

Deputeti i qarkut Elbasan, Adi Qose, ka përcjellë një mesazh falënderimi dhe sigurie për të gjithë qytetarët, në lidhje me shqetësimet e krijuara nga investimi i fundit në infrastrukturën e qytetit.

“Falënderoj me zemër çdo qytetar të Elbasanit për durimin e treguar nga shqetësimi i krijuar nga ky investim,” – shprehet deputeti Qose në deklaratën e tij publike.

Ai thekson se punimet, megjithëse kanë sjellë vështirësi të përkohshme në qarkullim dhe në përditshmërinë e banorëve, janë pjesë e një projekti të rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm.

“Ju siguroj që rrugët e qytetit do të kthehen në gjendjen e mëparshme dhe Elbasani do përfitojë ujë të pijshëm me furnizim dhe cilësi më të mirë,” – garanton më tej Qose.

Sipas tij, ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së cilësisë së jetesës për qytetarët, në kuadër të vizionit zhvillimor të përmbledhur në moton #ELBASANI2030 🚀.