U godit me thikë, por shpëtoi për mrekulli: Rrëfehet futbollisti: U tmerrova, pashë një person të vdiste para meje

“Sot u tmerrova, sepse pashë një person të vdiste para meje”. Pablo Marí është mirë dhe, pas plagës me thikë që mori në një qendër tregtare në Assago, foli me Adriano Gallianin dhe Palladinon nga dhoma e tij e spitalit. I pranuar në Niguarda të Milanos në orët e vona të pasdites, mbrojtësi i Monza mbeti i vetëdijshëm rrugës për në spital, i shoqëruar nga gruaja e tij në një ambulancë.

“Pablo është një djalë i mrekullueshëm, – shpjegoi Galliani, i cili së bashku me trajnerin Palladino iu bashkuan menjëherë mbrojtësit. – Ai kishte forcën të bënte shaka duke më thënë se do të jetë në fushë të hënën. I solla përshëndetje nga presidenti Berlusconi dhe të gjithë shokët e skuadrës, të cilët do të kishin dashur të vinin këtu edhe sikur, padyshim, të mos ishte e mundur”.

ÇFARË NDODHI – Sipas asaj që raportohet nga CEO e Monza, futbollisti ishte duke ecur me gruan dhe djalin e tij, i cili ishte ulur në karrocën e shtyrë nga spanjolli. Papritur, Pablo Marí ndjeu një dhimbje në shpinë, e ngjashme me një ngërç shumë të fortë, më pas pa agresorin që goditi një vajzë me thikë në fyt.

Sipas përditësimeve të fundit, kushtet shëndetësore të futbollistit janë stabile dhe dëmtimet jo të thella, nuk i janë prekur organet jetësore. “Me siguri ka shpëtuar nga gjatësia”, – ka komentuar Galliani, duke pasur parasysh se thika ka përfunduar disa centimetra larg mushkërive. 29-vjeçari ka kaluar natën në spital dhe dot do t’i nënshtrohet një operacioni për të qepur dëmtimin muskulor të shkaktuar nga goditja me thikë.

Koha e rikuperimit që nevojitet për rikthimin në fushë do të bëhet e ditur në ditët në vijim, kur kirurgu do të bëjë një prognozë të plotë. “Nga pikëpamja psikologjike më duket se nuk ka probleme, – vazhdoi Galliani, – edhe nëse nuk jam mjek”. Pablo ka pësuar edhe një plagë në gojë, ndoshta nga një përleshje, të cilën spanjolli nuk e mban mend, e cila u trajtua me dy qepje.

TË LËNDUARIT E TJERË – Agresori i identifikuar dhe arrestuar nga policia ka goditur edhe katër persona të tjerë, mes të cilëve edhe një punonjës të qendrës tregtare që humbi jetën. “Është lajm tronditës, – vijoi Galliani, – iu dërgoj mesazhe afërsie dhe dashurie të lënduarve, familjeve të tyre. Kjo që ndodhi sot duket paradoksale për një qytet si Milano. Nuk është e mundur që dikush të ngrihet në mëngjes për të shkuar në punë dhe pastaj të humbasë jetën për fajin e një krimineli”.