Në lidhje me njoftimin që kanë marrë prindërit për mundësinë e futjes së gjuhës turke në programin mësimor, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, u shpreh se gjithçka është në fazë studimi dhe askush nuk do të detyrohet që të mësojë një gjuhë që nuk dëshiron.
“Një ndër risitë më të bukura për këtë vit shkollor ka qenë gjuha angleze që në klasën e parë. Sipas kurrikulës së miratuar, në klasën e gjashtë, nxënësit nisin të mësojnë një gjuhë të dytë në klasë të gjashtë. Mund të jetë italisht, gjermanisht, frengjisht e kështu me radhë.
Në lidhje me gjuhën turke, kemi nënshkruar disa marrëveshje në Turqi, mes tyre edhe një marrëveshje në fushën e arsimit.
Jemi angazhuar në këtë marrëveshje që të bëjmë një studim nëse ka interes për të mësuar turqishten si gjuhë me zgjedhje. Por, dua të theksoj se në Turqi, gjuha shqipe është përfshirë si gjuhë e dytë në disa zona”, tha Kushi.
“Ne nuk kemi marrë ende një vendim për këtë çështje. Pyetësor ka nisur që në muajin dhjetor, jo pas vizitës së Presidentit turk Erdogan.
Sot që flasim, nuk kemi ende vendimmarrje dhe siguroj të gjithë prindërit që nuk do të ketë asnjë imponim për nxënësit për të mësuar gjuhën turke nëse nuk kanë interes”, shtoi Kushi.