Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht deputet i Elbasanit, Taulant Balla garantoi sot qytetarët elbasanas se po fillon një transformim historik i çdo lagjeje të qytetit. “Në Elbasan po pastrohen dhe sistemohen sheshet e pallateve. Aktualisht bashkia ka ndërmarrë një aksion për pastrimin e shesheve. Më pas puna do të vijojë me krijimin e lulishteve dhe rikonstruksionin e rrugicave lidhëse”, tha Balla, ndërsa shtoi se “është e turpshme të kundërshtosh rregullimin dhe rivitalizimin e blloqeve të pallateve”.
Së bashku me kryetarin e Bashkisë, Elbasan, Gledian Llatja, ai inspektoi fillimin e punës për lirimin e hapësirave mes pallateve. “Lagja 5 Maji është një lagje shumë e madhe, me popullsi të madhe dhe me hapësira të konsiderueshme. Dua t’ju falenderoj që i keni hyrë me themel dhe po pastroni mbetje të grumbulluara prej shumë vitesh. Ajo që është e rëndësishme është se po lirohen sheshet e pallateve. Dhe detyra jonë është që më pas të fillojmë dhe me asfaltimin e rrugëve të këtyre lagjeve dhe shndërrimin total të këtyre zonave”, tha Balla.
Për sistemimin e lagjeve periferike po kujdeset Agjencia e Shërbimeve Publike në Bashkinë e Elbasanit. Nga ana e tij, kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se ndërtimi i lulishteve dhe këndeve të lojërave do të jetë detyra e radhës.
“Zona këtu ka qenë përherë problematike për sa i përket akumulimit të mbetjeve inerte. Po lirohen sheshe në të cilat kishte 25 vite që nuk vihej dorë. Do të bëjmë edhe lulishte dhe do t’i rivitalizojmë këto zona”, tha ai.
Lagja “5 Maji” në Elbasan është një lagje e madhe me rreth 6 mijë banorë, pjesa më e madhe e së cilës është populluar pas viteve ’90 si zonë informale dhe problemet në infrastrukturë kanë qenë të shumta. Pas sistemimit të qendrave të qyteteve tashmë vëmendja e bashkive është përqendruar në sheshet e vogla brenda pallateve, por edhe në periferi, zona të cilat kanë qenë të lëna pas dore për shumë vite.