‘Trajtimi në shtëpi gjëja më fatale për ju!’/Brataj na jep disa këshilla të vyera se cila është gjëja e parë që duhet bërë kur prekemi nga Koronavirusi.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, me anë të një videoje live nga rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë një pasqyrim të situatës aktuale në vendin tonë përsa i përket SARS-COV2 dhe sëmundjes së Covid-19, ndërsa ka sqaruar se çfarë duhet të dinë dhe se çfarë duhet të bëjnë qytetarët në këto rrethana në të cilat ndodhemi, si duhet të veprojnë në momentet e para kur marrin vesh se janë prekur nga ky virus dhe kë duhet të kontaktojnë për marrjen e ndihmës së nevojshme mjekësore.

Ai ka bërë me me dije se sot që flasim ka rreth 1 mijë thirrje më shumë nga situata e zakonshme ditore, shumica e të cilëve është për koronavirusin. Sipas Bratajt në total kemi rreth 20 mijë raste, por ajo që sipas tij është shqetësuese është numri i rasteve aktive, 8654 të tilla, të cilët nuk dihen nëse i kanë marrë masat e nevojshme të mbrojtjes dhe të mos përhapjes së infeksionit tek të tjerët.

Brataj ka një këshillë për të gjithë ata persona që preken për herë të parë nga Covid-19, të cilët sapo e marrin vesh përfshihen nga ankthi dhe frika, por sipas tij nuk duhet të shqetësohemi pasi kemi një përqindje të lartë të atyre personave që e kalojnë me forma shumë të lehta ose janë asimptomatikë.

“Në javën e parë ne mund të kemi simptoma të ngjashme me gripin, si: temperatura, dhimbja e fytit, mund të kemi dhimbje koke, të muskujve, kollë të thatë etj, ose mund të kemi edhe humbje të nuhatjes dhe të shijes. Nga eksperienca personale dhe ajo profesionale, do doja t’ju thosha që kush ka këto shenja, është forma më e lehtë.

Mjafton 2-3 ditë me atë temperaturën subfebrile që nuk ka nevojë tjetër veç antipiretikëve. Pra, as analiza, as terapi të tjera, as antibioktikë, as kortizon, asnjë gjë nga këto veç simptomave. Ke temperaturë, do të marrësh paracetamolin. Ke dhimbje, do të marrësh aspirinën ose një anti-flamator si ibuprufeni etj., por unë personalisht do t’ju këshilloja aspirinën. Në javën e parë nuk duhet as ekzaminim laboratorik dhe as imazherik, pra as grafi, as skaner dhe as analiza gjaku.

Në qoftë se simptomat persistojnë më shumë se javën e parë, atëherë kemi hyrë në formën e mesme dhe në këtë moment, nëse sëmundja vijon me ato simptoma, do të thotë që sëmundja po vazhdon me ecurinë e saj dhe në atë moment mund të bëjmë disa analiza gjaku, një gjak komplet. Po ashtu një funksionalitet renal, pra të veshkave. Dhe në këtë moment, përvec këtyre analizave laboratorike, mund të bëhet edhe një radiografi digjitale, ose një skaner për të parë integritetin e mushkërive, funksionet e zemrës e kështu me radhë. Ndërsa në javën e tretë, trajtimi i kësaj faze do ta çojë pacientin o drejt shërimit, o drejt spitalit, në varësi të simptomave që largohen ose shtohen.

Dhe në këtë rast, do ishte mirë të shkonim në spital për të marrë ndihmën e duhur mjekësore, pasi ka shumë njerëz që i bëjnë këto procese kurimi në shtëpitë e tyre, duke marrë eksperiencën e ndonjë personi që njohin që e ka bërë këtë gjë. Por, kjo është gjëja më e gabuar që mund të bëni, sepse këto mund të bëhen vetëm nën këshillim ose monitorim mjekësor. Pra, përpara bërjes së këtyre terapive ‘bombë’, duhet fillimisht këshillimi dhe interpretimi i të gjithë analizave laboratorike dhe imazherike nga një specialist që përcakton më pas diagnozën përkatëse në varësi të gjendjes së të sëmurit.

Duhet thënë që personat që preken nga Covid-19 dhe ndihen të lodhur, të këputur edhe pasi e kanë kaluar atë, kjo nuk duhet të përbëjë shqetësim, pasi sëmundja ka prekur funksionin e mushkërive. Dhe pas disa javësh ose muajsh kjo gjë rregullohet dhe rikuperohet pothuajse 100 për qind. Absolutisht jo antibiotikë nëse ke marrë vesh që të ka zënë Covid-i ose nëse ke temperaturë 2-3 ditët e para, sepse nuk shërbejnë për asgjë. Këto antibiotikë në javën e parë ose të dytë nuk do të na hyjnë më në punë, sepse nuk na parandalon asgjë, përkundrazi i sjell një mbingarkesë mëlçisë duke pirë antibiotikë. Jo kortizon në javën e parë, pra vetëm antipiretikë dhe lëngje. Mund të merrni vitaminën E dhe C. Dhe mos rrini shumë të shtrirë në shtrat, mundohuni të bëni disa hapa në shtëpi, që të ndihmoni qarkullimin e gjakut.”, u shpreh ndër të tjera mjeku Brataj.