Trajneri i Elbasanit, Roberto Bordin, e ka cilësuar si të kënaqshme ndeshjen e skuadrës së tij, teksa shpjegoi se të gjitha ndryshimet që kishte bërë ishin vetëm në funksion të rezultatit ndaj Laçit, duke sakrifikuar lojën e skuadrës verdheblu.
“Nga çfarë jam i kënaqur? Nga ndeshja, djemtë, kompaktësia e ekipit, nga mënyra se si vuajtëm në momente të vështira, kompaktësia deri në fund. Mëkat që nuk shënuam në rastet e tjera që krijuam.
Ideja ynë për të luajtur me dy lojtarë në mbështetje të sulmuesit. Në pjesën e dytë kur doli Qose luajtëm me 3 pas sulmuesit, se alternoheshin Ze Gomesh dhe Greca në krah e sulm. Menduam se formacioni titullar ishte më i miri dhe edhe tani e mendoj këtë gjë. Vuajtëm pak, bëmë pak, ne deshëm të fitonim ndeshjen ndaj ndryshuam modul dhe lojtarë që të kërkonim rezultat. Pastaj gjen përballë një skuadër që rrezikon shumë me 3 sulmues dhe u vendosa me 5 mbrapa për të mbrojtur. Sidomos në fund humbëm edhe Hasanin për probleme muskulore dhe u desh që të zbritnim më poshtë, u desh të vendosej sulmues dhe Ze Gomesh të zbriste në mesfushë. Të gjitha fitoret ndoshta nuk janë të bukura, por e rëndësishme është që të shkojmë si skuadër drejt rezultatit.
Sistemet e lojës janë të ndryshme, duhen mbuluar hapësirat në mënyrën e duhur me lojtarët e duhur. Pastaj janë momentet e lojës se si lexohen hapësirat. Pasi arritëm avantazhin, pse të rrezikonim me dy sulmues e krahë, por më mirë me 5 për të mbyllur hapësirat”, tha Bordin pas ndeshjes për RTSH.