Prej më shumë se një ore Tirana është në kaos si pasojë e trafikut të rënduar.Policia Rrugore e Tiranës ka dhënë detaje për rrugët që duhet të shmangin përdoruesit e mjeteve.Bëhet fjalë për segmentet që lidhen kryesisht me qendrën e Tiranës. Sipas policisë kjo situatë është shkaktuar për shkak të aktiviteteve në sheshin “Skënderbej”, ku ka flusk të shtuar të automjeteve, por dhe të këmbësorëve, të cilët futen në drejtime të ndryshme.
Njoftimi i plotë:
Për shkak të aktiviteteve që zhvillohen në sheshin “Skënderbej”, ka fluks të shtuar të automjeteve, por dhe të këmbësorëve, të cilët futen në drejtime të ndryshme, jashtë vendkalimeve të përcaktuara, gjë që ka sjellë herë pas here bllokim të lëvizjes.Policia Rrugore e Tiranës, nisur edhe nga shtimi i automjeteve që vijnë në drejtim të Tiranës apo qytetarëve që vijnë nga jashtë shtetit, për festa dhe pushime, me qëllim shmangien e bllokimit të lëvizjes në Unazën e Vogël, kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve që të shmangin sa është e mundur lëvizjen në drejtim të qendrës, konkretisht hyrjen nga:
– Rruga e Durrësit;
– Rruga e Kavajës drejt rrugës “Ibrahim Rugova”;
– Bulevardi “Zogu i Parë” drejt rrugës “Urani Pano”;
– Rruga e Dibrës drejt 9-katsheve;
– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt rrugës “Abdi Toptani”;
– Rruga e Elbasanit drejt 9-katsheve.
Policia Rrugore fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.