Themelohet në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Bordi Këshillimor i Biznesit

Në një ceremoni të veçantë themelohet në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Bordi Këshillimor i Biznesit, të përbërë nga sipërmarrës të zgjedhur të industrive të ndryshme të Qarkut të Elbasanit, të cilët sjellin një model dhe përvojë të jashtëzakonshme suksesi. Këta sipërmarrës dhe lider ndajnë praktikat më të mira dhe bien dakord të bashkëpunojnë me UE-në, duke shtrirë bashkëpunim në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre, për të cilat shfaqin interes të përbashkët.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universiteti të Elbasanit, Prof.dr. Skender Topi, theksoi se pjesëmarrja e bizneseve aktivisht në politikat akademike dhe universitare, ka qenë diçka e panjohur vite më parë, por sot ajo është kthyer në një domosdoshmëri. Kjo nuk lidhet vetëm me punësimin e të rinjve, por lidhet edhe me realizimin e  një bashkëudhëtimi drejt përmbushjes së objektivave dhe qëllimeve që lidhen me arsimin e lartë cilësor dhe promovimin e kërkimit shkencor.

Gjithashtu Zëvendësrektori, Prof.as.dr. Peçi Naqellari, në fjalën e tij përshëndetëse shpjegoi se Bordi Këshillimor i Biznesit në Universitetin e Elbasanit është një organ këshillimor i cili do të këshillojë dhe asistojë institucionin në hartimin dhe implementimin e strategjisë së zhvillimit dhe përmirësimit të tij. Duke ju patur këshilltarë juve si sipërmarrës të zgjedhur të industrive të ndryshme të Qarkut të Elbasanit, do të  përcillni në UE një model dhe përvojë të jashtëzakonshme suksesi.

Iniciatorja e kësaj nisme, Zëvendësrektore, Prof.as.dr. Elvira Fetahu, prezantoi me detaje organizimin dhe funksionet të cilat do të kryejë Bordi Këshillimor i Biznesit, duke falenderuar të gjithë përfaqësuesit e bizneseve, që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për pjesëmarrjen në këtë Bord, pasi angazhimi dhe përkushtimi i tyre është realisht motivues, tregon përgjegjshmëri të elitës sipërmarrëse të qytetit tonë dhe vizionin për të marrë iniciativa në të mirë të institucioneve ofruese të dijes dhe komunitetit.

Sekretar i Përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Popa,  falenderoi Universitetin e Elbasanit, i cili vazhdon dhe ndërmerr iniciativa të tilla, duke krijuar një profil specifik bashkëpunimi dhe zhvillimi.

Takimi u përmbyll me nënshkrimin e marrëveshjes.