Gjykata e Elbasanit ka dhënë sot masën “arrest me burg” për personat e arrestuar për kërcënimin e biznesmenit Erald Myftaraj dhe familjarëve të tij.
Mësohet se Algert Alcani, 27 vjeç, Edmir Boci, 37 vjeç, dhe Shaqir Alcani, 62 vjeç kanë dalë sot para gjykatës, ndërsa prokurori Kreshnik Ajazi e cilësoi të ligjshme masën e arrestit të tyre dhe i kërkoi trupit gjykues të caktohet për ta masa “Arrest me burg”, masë që u la në fuqi nga Gjyqtari Elis Dine.
Këta shtetas u arrestuan pak ditë më parë pasi u denoncuan nga biznesmeni Erald Myftaraj, se e kishin kërcënuar me jetë atë dhe familjarët e tij që firma e tyre të tërhiqej nga një tender publik për lëndë drusore me vlerën e 1 milionë eurove.
Sipas prokurorit, Shaqir dhe Algert Alcani, babë e bir, janë personat të cilët kishin pajtuar dy persona të tjerë për të kërcënuar biznesmenin Myftaraj që të tërhiqej nga një tender publik që e kishte fituar nga Bashkia e Tiranës
Pasi biznesmeni nuk ka pranuar që të tërhiqej nga gara që kishte fituar, atij i është vendosur pistoleta në kokë nga një prej të arrestuarve, si dhe e kishin kërcënuar edhe me jetën e djalit.