Tre persona u arrestuan në Elbasan këtë të hënë dhe një tjetër u shpall në kërkim, pasi akuzohen se kishin kërcënuar me jetë një biznesmen. Ata i kërkonin që të tërhiqej nga një tender i fituar në Bashkinë e Tiranës, përndryshe do të vrisnin atë dhe djalin e tij.
Sipas Tv Klan, të arrestuarit, sipërmarrësi Shaqir Alcani, djali i tij Algert dhe Edmir Boci nuk kanë pranuar të flasin para grupit hetimor.
“Qoftë biznesmeni Shaqir Alcani, djali i tij, por edhe personi i kontraktuar prej tyre Edmir Boçi nuk kanë pranuar të flasin përpara hetuesve lidhur me veprën penale, për të cilën ata akuzohen, pra presionin që kanë ushtruar tek një biznesmen tjetër për tërheqjen nga një tender që ishte zhvilluar në muajin Tetor. Thënia e vetme e tyre para grupit hetimor ka qenë se do të kërkojnë avokat dhe në një moment të dytë do të gjykojnë nëse do të flasin ose jo. Por deri më tani nuk kanë pranuar”.
Megjithatë, grupi hetimor “ka parashtruar faktet se gjithë ky operacion është faktuar përmes pamjeve filmike, ku janë shfaqur këta persona të vënë nën akuzë nga policia dhe prokuroria e Elbasanit, teksa kanë kërkuar fillimisht përmes mesazheve dhe më pas dhe fizikisht, tërheqjen nga tenderi, nga biznesmeni tjetër me seli në Cërrik, Eral Myftaraj. Bëhej fjalë për një tender ku vlera e fondit, që është aprovuar dhe fituar nga ky biznesmen, kap vlerën e 42 milionë lekëve të rinj”.