Mungesa e punëtorëve të kualifikuar është bërë problem mjaft shqetësues për ndërmarrjet shqiptare. Një studim i fundit i Institutit Shqiptar të SME-ve, (SME=Small Medium Enterprises) tregoi se rreth 61% e ndërmarrjeve kanë pasur punonjës të larguar për arsye emigracioni gjatë vitit 2019.
Studimi që u krye me intervista në 500 ndërmarrje në sektorët e shërbimeve, prodhimit, agro përpunimit, shitjeve me shumicë e pakicë, ICT, artizanatit; tregoi se largimi i popullatës dhe mungesa e theksuar e stafit ishin një ndër problematikat kryesore me të cilat janë hasur bizneset gjatë vitit të kaluar.
Ndërkohë ka qenë kjo situatë që ka nxitur të rinjtë të studiojnë në shkollën “Ali Myftiu” në Elbasan. Në këtë shkollë nxënësit profilizohen në: instalime elektrike civile dhe industriale, riparim pajisjesh elektro-shtëpiake, konstruksione metalike, makina metalpunuese, shërbime elektroaut, shërbime motorrike, muratim, suvatim.
Bruna Kërçyku ishte këtë mëngjes pikërisht në këtë shkollë, me një grup të këtyre nxënësve, të cilët nesër do të na rregullojnë makinat apo elektro-shtëpiaket që kemi në shtëpi. Ata u shprehën se i janë drejtuar kësaj shkolle duke parë që tregu kërkon sot më shumë zanatçinjtë si brenda dhe jashtë vendit.