Në Bashkinë e Elbasanit, si edhe në 12 Njësitë Administrative të saj, po punohet intensivisht për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor 2022-2023.
Nënkryetarja e Bashkisë Vesa Liço pohon se “ka disa javë që në të gjitha shkollat dhe çerdhet e Bashkisë, ka nisur puna për lyerjen, si edhe rikonstruksionin me qëllim që të sigurohen ambjente të sigurta dhe komode për nxënësit të cilët do të nisin vitin e ri shkollor.
Më konkretisht është ndërhyrë në riparime, lyerje, dezinfektim dhe pastrim në të gjitha institucionet arsimore të bashkisë Elbasan.
Në juridiksionin e bashkisë Elbasan janë rreth 132 godina të institucioneve arsimore parauniversitare nga të cilat 8 janë shkolla të Mesme të përgjithshme, 8 janë shkolla të Mesme të Bashkuara, 99 shkolla 9-të vjeçare dhe 17 kopshte të shpërndara në 12 Njësitë Administrative të kësaj bashkie.
Referuar shkollës në Tregan, e cila për shkak të tërmetit pati dëme të mëdha, nënkryetarja Vesa Liço, shton se “aktualisht nxënësit janë transferuar në Kuqan, ku Bashkia e Elbasanit ka mundësuar për nxënësit si dhe për stafin mësimor linjat e dedikuara të transportit, ç’ka është mirëpritur edhe nga vetë prindërit, ndërsa transporti paguhet nga Zyra Vendore Arsimore.
Sa i përket rikonstruksionit të shkollës së Treganit, Bashkia ka një projekt, dhe është në pritje të financimit.