Xhieldo Hyseni është shpallur fitues i edicionit të 74-t të konkursit europian për këngëtarët e rinj lirikë operistikë, që akademia “AsLiCo” zhvilloi në Como të Italisë.
Në këtë konkurs prestigjioz garuan edhe 2 artistë të tjerë të rinj nga Shqipëria: Rovena Xhelili dhe Bledar Domi. Bashkë me Xhieldon, edhe ata janë pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës. Xhieldo Hyseni e fitoi konkursin me rolin e Sarastro-s në operën “Flauti magjik” nga Mozart.
“Ndihem vërtetë i emocionuar e në të njëjtën kohë me shumë përgjegjësi për vlerësimin e marrë”, është shprehur artisti në një postim në rrjetet sociale. Të njëjtin rol për herë të parë, Hyseni e kishte interpretuar në Teatrin e Operas dhe Baletit të Tiranës.
Për këtë eksperiencë ai ka falënderuar Festivalin Operistik Ndërkombëtar “Ramë Lahaj”, si edhe drejtuesen e TKOB, Abigeila Voshtina.
Vetë Voshtina e ka përshëndetur pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në konkursin e zhvilluar në Como dhe veçanërisht kualifikimin e Xhieldo Hysenit për në fazën finale. “Promovimi i të tilla talenteve përtej kufijve iu hap rrugën këngëtarëve të rinj, me aftësitë e duhura, të zgjerojnë horizontin dhe të rriten si nga ana artistike, ashtu edhe ajo profesionale”, ka deklaruar drejtuesja e TKOB.