Super lajm nga Gjermania! Do të jepen 25 mijë viza pune, ja sa do të përfitojnë shqiptarët

25.000 viza janë parashikuar të jepen këtë vit sipas rregullores së Ballkanit Perëndimor. Por, sa viza do të jepen me të vërtetë? Një vështrim në shifrat e vitit të kaluar. 5500 viza pune në vit ka vënë në dispozicion Gjermania për kosovarët që duan të punojnë në Gjermani. Kjo përbën një të pestën e vizave të parashikuara në kuadër të kontingjentit të rregullores së Ballkanit Perëndimor.

Kjo bëhet e ditur në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj një pyetjeje me shkrim të grupit parlamentar të liberalëve (FDP) në Bundestag. Për Shqipërinë, Maqedonisë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën janë parashikuar nga 4750 viza pune në vit, pra nga 19 përqind për secilin vend. Ndërsa kontingjenti i rezervuar për Serbinë është pak më i ulët, rreth 4250 (17 përqind), e për Malin e Zi, janë parashikuar 1000 viza pune, rreth 4 për qind e kontingjentit.

Qeveria gjermane e ka përcaktuar kontingjentin total të vizave deri në 25 mijë viza pune në vit. Këtu përfshihen vetëm vizat, sipas Rregullores se Ballkanit Perëndimor, e cila është rinovuar më 1.01.2021 dhe vlen deri në vitin 2023. Ndarja është bërë në bazë të disa kritereve, të cilat sipas përgjigjes së qeverisë gjermane, janë: numri i popullsisë, numri i vizave të dhëna në vitin 2018 dhe 2019 dhe numri i kërkesave për vizë.