Strategjia e AF Elbasani/ Administratori Çoku flet për ecurinë e skuadrës

Krijimi i një klubi futbolli nuk është asnjëherë i lehtë, teksa duhet kohë, përkushtim dhe financa për të ecur përpara. Mirëpo, në vetëm pak muaj, Akademia e Futbollit Elbasani ia ka dalë të organizohet dhe të jetë gati për pjesëmarrjen në aktivitetet kombëtare. Administratori Mareglen Çoku pohon se skuadrës i janë krijuar të gjitha kushtet për të marrë pjesë në kampionat dhe tani janë në pritje të fillimit të tij, njëkohësisht edhe marrjes së rezultateve, të cilat do ta ngjisin skuadrën në Kategorinë e Dytë.

Ndonëse vëmendja aktuale është tek skuadra e të rriturve, Çoku pohon se nuk është lënë pas dore as akademia, frytet e së cilës presin t’i shohin në vazhdim. Aktualisht bëhet fjalë për afro 150 fëmijë që stërviten me grupmoshat e këtij klubi.

Akademia e Futbollit Elbasani këtë sezon do të militojë në Kategorinë e Tretë dhe aktualisht presin nisjen e kampionatit, ndërsa ekipet e moshave kanë startuar aktivitetet e tyre në rang Kombëtar dhe Rajonal.