Në radhët e bluzave të bardha, kur mendojmë për rrezik në ditët e luftës me koronavirusin, frika na ngjason gjithëpërfshirëse e pa përjashtime. Por, kategorizimet ekzistojnë edhe brenda fushës. Një prej shërbimeve që u ndalua të ofrohej kategorikisht e që në vlerësimet e specialistëve mendohet se do të jetë shërbimi i fundit që mund t’i kthehet normalitetit, është stomatologjia. Potenciali i lartë i mundësisë së vazhdimit të zinxhirit, kontakti i afërt me aparatin gojor të pacientit, që është edhe burim i drejtpërdrejtë për marrjen e infeksionit.
Për t’i dhënë shërbimin pacientit një mjek stomatolog nuk mund të mbaje një distance më të largët se 40 cm. Po ashtu kontakti i drejtpërdrejtë me gojën dhe stiklat e pështymës bëri që shërbimi dentar të ndërpritet që në nisje të pandemisë.
Ndërkohë përsa i përket urgjencave dentare mjekët janë munduar të këshillojnë pacientët përmes telefonit ndërkohë që edhe urgjenca dentare ka dhënë shërbimin e saj kur ka qenë e nevojshme.
Por ndërsa urgjenca dentare funksionon në Elbasan, pacientet e qyteteve të tjera e kanë pasur të pamundur të kurohen. Pengimi i lëvizjes apo edhe koha e shkurtër e bëjnë të pamundur që një pacient nga Gramshi apo Prrenjasi të vijë të marrë shërbimin dentar në urgjencën e Elbasanit.