Javë më parë në media qarkulloi një lajm, sipas të cilit stafi mbretëror në Sandringham ishte revoltuar për planet e mbretëreshës për Krishtlindje. Korrespondenti mbretëror i The Express, Richard Palmer, raportoi në tetor se mbretëresha do t’i kalonte festat e fundvitit në Sandringham. Ai tha gjithashtu se kishte një revoltë në stafin e Pallatit, pas “përpjekjeve për t’i bërë ata të izoloheshin nga familjet e tyre”.
Detajet në atë kohë ishin të pakta, por me sa duket madhëria e saj ishte “e tërbuar” pasi zbuloi se punëtorët po refuzonin të izoloheshin, në mënyrë që të mund t’i shërbenin mbretëreshës gjatë Krishtlindjeve.
Kështjella në Sandringham
Ndërsa së fundmi bëhet e ditur se kryekujdestarja e Pallatit Mbretëror, e cila ka punuar për mbretëreshën prej 30 vjetësh, është larguar nga puna si pasojë e kësaj drame. Lajmin e publikoi The Sun, duke raportuar se Patricia Earl ka dhënë dorëheqjen. Burimet për median britanike thonë se Earl u ndje në siklet pasi disa shërbëtorë refuzuan të izoloheshin për katër javë gjatë periudhës festive, në mënyrë që Mbretëresha Elizabeth dhe Princi Philip të mund të qëndronin atje të sigurt për festa.
Për shkak të gjithë kësaj drame, Mbretëresha Elizabeth II tani do të qëndrojë në Kështjellën Windsor gjatë festave dhe kjo është hera e parë në 33 vjet që diçka e tillë ndodh. Ndërkohë, një zëdhënës i Pallatit Buckingham mësohet se tha për dorëheqjen e Earl se ishte një largim plotësisht miqësor.