Pas buxhetimit me pjesëmarrje, ku janë vetë qytetarët ata që paraqesin problemet dhe prioritetet e tyre, bashkia tashmë ka shtrirë këtë model edhe në fushën e sportit.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja ka zhvilluar një takim me sportistë, trajnerë dhe stafin e sportit, me qëllim për të përcaktuar prioritet dhe investimet e realizuara gjatë këtij viti në fushën e sportit.
Takimi është kryer në ambientet e pallatit të sportit “Tomorr Sinani” ku drejtori i Sporteve Artin Kovaçi ka bërë edhe një përmbledhje të investimeve të kryera gjatë këtij viti, një ndër më kryesoret është përmirësimi i ambienteve sportive që ndikojnë në rezultatet sportive.
Nga ana e tij, Gledian Llatja vlerësoi sportistët elbasanas për rezultatet e tyre të larta ndërsa shtoi se “Elbasani është një qytet që e do sportin, i do rezultatet dhe arritjet që i kemi bërë ne të gjithë bashkë dhe detyrimisht kur e do i gjithë qyteti ne e kemi për detyrë të bëjmë punë të mira.
Duke i dhënë rëndësi më shumë të rinjve, Llatja shtoi se “duhet të shkëpusim të rinjtë nga veset dhe t’i afrojmë në sporte. Duhet të përpiqemi që të japim mbështetjen maksimale, si nga ana financiare ashtu edhe infrastrukturore. Do të kryejmë rehabilitim të terreneve sportive edhe në njësitë administrative si në Gjinar, Kuqan, Gjinar, Bradashesh”.
Është hera e parë që realizohet një aktivitet kaq masiv i dëgjesës publike të buxhetimit me pjesëmarrje për sa i përket fokusit të sportit dhe rëndësisë që bashkia duhet t’i japë buxhetit të vitit 2022 çështjes së sporteve.
Duke ngritur vlerat e sportistëve, Llatja shtoi se “kemi arritur rezultate shumë të mira, kemi skuadra shumë të mira, tashmë kemi krijuar edhe ekipin e futbollit, sportin e radioamatorizmit ku morëm rezultate shumë të mira po ashtu në Kampionatin Botëror.
Më pas vetë sportistët, trajnerët, kanë parashtruar prioritetet e tyre të cilat konsistojnë në investime si në terrene sportive, palestra shkolle etj.
Sipas përfaqësuesve të lartë të sportit, kërkohet infrastruktura dhe trajtimi moral dhe material i sportistëve që të arrijnë rezultate edhe më të mira. Infrastruktura sportive ka ndryshuar, janë rregulluar shumë gjëra dhe më mirë do bëhet, pasi Elbasani ka kualitete.