Spitali rajonal i Elbasanit do të kthehet në spital COVID. Përgatitjet janë drejt fundit dhe është gati për t’u vënë në punë sapo të ezaurohen kapacitete spitalore të 4 spitale COVID në Tiranë. Drejtoresha e Spitalit rajonal të Elbasanit, Desantila Tahiraj tha se ky spital ka burime njerëzore të mjaftueshme, të cilat po trajnohen.
“Dhe rajonale dhe Elbasani po bëhen përgatitjet përfundimtare për të qenë gati për nëse do jetë e nevojshme për t’u hapur si spital COVID. Për fatin tonë të mirë spitali rajonal i Elbasanit ka burime njerëzore të mjaftueshme, të cilat po trajnohen nga Ministria dhe Urgjenca për të qenë të gatshëm për të përballuar. Nëse do të mbushen spitale 4 COVID, dhe do jetë e nevojshme ne jemi”, tha drejtoresha e Spitalit rajonal të Elbasanit, Desantila Tahiraj.
Kthimi i spitaleve rajonal në COVID është një nga skenarët e planifikuar nga Ministria e Shëndetësisë për përballimin e fluksit të të infektuarve me koronavirus. Më herët, edhe drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës Ardian Dajti gjatë një interviste për Report TV tha se edhe ky spital po përgatitet për të pritur pacientë me COVID me një kapacitet prej 95 shtretërish.