Pushimet shtuan edhe më shumë qëndrimin para ekraneve të telefonave. Hapësirat digjitale ishin të lidhura kudo, në plazhe, shezllone, bare restorante e hotele si nga të rriturit ashtu edhe nga fëmijë fare të vegjël. Për mjekët okulistë konstatimi është I dhimbshëm pasi shëndeti I syve ndonëse ka të gjitha premisat në kohë pushimesh të qetësohet dhe përmirësohet nga natyra, degradon me ritme të frikshme.
“Ajo që më mërziti më shumë ishte se të gjithë ishin me kokë në celular, jo vetëm prindërit por edhe fëmijët e të gjitha moshave dhe ajo që më trembi më shumë ishin fëmijët 3 vjeç që nuk duhet të kenë fare telefon në duar për dëmet e jashtëzakonshme që u jep ekrani muskujve të syve të tyre që janë në zhvillim”, u shpreh okulistja Suzana Zhuka.
Sipas mjekes, nga intervistat me pacientët fëmijët në kohë pushimesh dyfishojnë kohën e qëndrimit para ekraneve.
“Kjo është një varësi totale. Mbi 4 orë shkon koha mesatare ditore e qëndrimit në telefon dhe kjo është alarmante për shëndetin e syve”, u shpreh okulistja Zhuka.
Miopia është alarmi i kohëve moderne, si një nga sëmundjet më të përhapura tek fëmijët. Parashikimet e studimeve ndërkombëtare tregojnë se deri në 2050, 4 në 10 fëmijë do të jenë miopë.
“Sot në Shqipëri, nga 10-15 fëmijë 7 janë më syze dhe kjo është statistikë shumë e lartë. Duhet program mbarëkombëtar për ndërgjegjësimin e prindërve ku të përcaktohen qartë oraret e qëndrimit mbi ekrane. Mesazhi im është: Mbroni fëmijët sa nuk është vonë. Sëmundja nuk vjen as për një ditë as për një muaj. Ajo krijohet me kalimin e kohës”, u shpreh ajo.
Me ardhjen e shtatorit fëmijët që regjistrohen në klasë të parë nisin kontrollin e detyruar të syve, një depistim ky që çdo vit ka treguar numra të rritur të problemeve me shikimin tek kjo grupmoshë.