Policia bëhet gati për të hënën, në Elbasan vihet kufiri për të ndarë zonat pa dhe me koronavirus. Nga dita e hënë dhe në vazhdim në zonat e quajtura të gjelbra siç janë Librazhd, Përrenjas, Pogradec do të ketë një sërë masash lehtësuese për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve. Por ku konsistojnë këto lehtësira dhe si do të lëvizin;
Deri ne oren 08:30 do të lëvizë Mosha e tretë pa autorizim
Pas orës 09:30 – 17:30 do të lëvizin qytetarët e tjerë pa autorizim
Pas orës 09:30 – 17:30 do të lëvizin drejtuesit e mjeteve pa autorizim.
Jo lokaleve – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i cili ishte për të inspektuar pikat e kontrollit që do të ngrihen për të mbrojtur këto zona të gjelbërta nënvizoi se këto lehtësira nuk do të thotë hapje të lokaleve
“Kjo do të thotë se këta do të kenë një përparësi përsa u përket kohës dhe vendeve ku do të dalin, por nuk do të thotë që të shkelin të gjitha detyrimet përsa i përket distancimit social dhe pjesës së lokaleve dhe ambienteve të tjera, të cilat nuk janë të lejuara.”
Qyteti i Pogradecit është qytet i cili është përfshirë në zonën e gjelbër, ku të gjithë qytetarët në vazhdim, duke filluar nga dita e hënë, prej orës 05:00 të mëngjesit do të kenë një lirshmëri më të madhe përsa i përket lëvizjeve dhe gjithçkaje e përfshirë dhe e parashikuar në bazë të masave të marra për situatën e krijuar nga COVID-i.
Jo më shumë se dy qytetarë- në këto zona të gjelbërta do të respektohet distancimi social; “ jo më shumë se dy qytetarë së bashku dhe duke mos frekuentuar parqet, duke mos frekuentuar ambientet apo vendet publike dhe duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të minimizuar dhe ruajtur këtë zonë, pra Pogradecin, Përrenjasin, Librazhdin dhe gjithë zonën tjetër të paprekur nga koronavirusi.” Nënvizoi Veliu.
Një pikë kontrolli do të vendoset në Elbasan që do të ndalojë çdo qytetar të zonës së gjelbër për të ardhur në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas dhe ndalimin e çdo qytetari dhe mjeti nga Elbasani në drejtim të Librazhdit.
Gjatë inspektimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ishte i shoqëruar nga drejtori vendor i Policisë Elbasan Arjan Muça dhe drejtori vendor i Policisë Korçë Lorenc Panganika.