Wednesday , February 19 2025

Situatë e vështirë për Gvozdenoviç, Elbasani e sheh Bylisin si “kamerdare” shpëtimi

Elbasani po përgatitet për ndeshjen me Bylisin këtë fundjavë. Një përballje, që në kampin verdheblu konsiderohet vendimtare dhe duhen marrë patjetër tri pikët. U bënë disa ndeshje radhazi pa fitore për verdheblutë, por përtej rezultateve situata duket e qetë dhe me vëmendjen plotësisht tek transferta e së shtunës.

Për fatin e tij të mirë, trajneri Ivan Gvozdenoviç nuk do të ketë lojtarë të skualifikuar nga kartonët, por vijon të vuajë mungesat nga dëmtimet, siç janë Lleshi, Hakaj dhe Hasani. Për dy të fundit në fakt ka ende shpresa për rikuperim. Gjithsesi, me afrimet e bëra në janar mungesat nuk shihen më si një problem madhor tek Elbasani, sepse nuk mungojnë alternativat në skuadër. Mbetet për t’u parë se cilët do të jenë titullarët që do të hedhë në fushë Gvozdenoviç, por ka pak gjasa që të ketë ndryshime në krahasim me sfidën e kaluar ndaj Egnatias.

KAMERDARE SHPËTIMI – Elbasani e sheh Bylisin si një “kamerdare shpëtimi” në këtë moment kritik të kampionatit. Verdheblutë kanë ardhur në një situatë, ku u duhen pikët për të mos u futur në sikletin që vjen nga poshtë renditjes, ndërsa “Final 4” duket tanimë një mision i pamundur për t’u arritur.

Për të tretën herë këtë sezon elbasanasit e shohin shpëtimin pikërisht te ballshiotët. Situata aktuale është përjetuar prej tyre edhe më herët në kampionat dhe Elbasani ka arritur të marrë dy fitore me mallakastriotët, duke u thënë “stop” rezultateve negative.

Në ndeshjen e parë në Ballsh verdheblutë fituan 0-1, me gol të Arsen Lleshit, ndërsa në të dytën në Elbasan përmbysën shifrat në 3-1, me golin e Arsen Kasës dhe dopietën e Lleshit. Problemi i vetëm tani është se mungon për arsye dëmtimi lojtari që ka “firmosur” dy fitoret ndaj ballshiotëve. Tani mbetet për t’u parë nëse sërish verdheblutë do ta bëjnë kthesën ndaj Bylisit, apo do të mbeten në këtë situatë. Në këtë ndeshje, ndoshta edhe barazimi nuk u bën shumë punë, duke parë që disa nga ekipet më poshtë në tabelën e renditjes po afrohen.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL