Elbasani po përballet mbrëmjen e djehme me një situatë alarmante të shkaktuar nga një zjarr, i cili ka rënë në një sipërfaqe të madhe pyjore. Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e situatës, thotë se në këtë qark po digjet një zonë e pyllëzuar e mbrojtur nga UNESCO.
Për shkak të flakëve të mëdha, forcat zjarrfikëse e kanë të pamundur shuarjen e tyre.
“Më datë 17.08.2021, ora 17:00, në njësinë administrative Rrajcë, bashkia Prrenjas, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyje. Zjarri ka marrë përmasa dhe këto pyje janë të përfshira në UNESCO, si dhe kanë një rëndësi të veçantë. Mjetet dhe forcat, të cilat janë nisur për këtë operacion e kanë të pamundur shuarjen e tij, pasi ështe terren i vështirë, por janë duke punuar në zonën ku mund të preken banesat.”
Ndërkohë, në shumë zona, në 8 Qarqe të vendit ka disa vatra aktive zjarri.