Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 18 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.
Nga këto, 15 janë neutralizuar plotësisht, ndërsa 3 vatra mbeten ende aktive dhe po monitorohen nga forcat e angazhuara në terren.
Zonat më të prekura janë raportuar në qarqet Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër, ku ndërhyrja ka qenë më intensive për shkak të terrenit të vështirë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve si pasojë e temperaturave të larta dhe erës.
Ministria njofton se janë angazhuar forca të MZSH-së, FA-ve dhe bashkive përkatëse për të vënë situatën nën kontroll. Ndërkohë, apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe raportim të menjëhershëm në rast zjarresh të reja.
Sipas njoftimit mësohet se vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Vlorë, Dibër, Maliq, Korçë, Lezhë, Kurbin, Bulqizë, Malësi e Madhe, Prrenjas, Sarandë, Himarë, Poliçan, Kuçovë, Gjirokastër e Durrës.
Situata me zjarret në vend vijon të mbetet problematike, me tre vatra ende aktive në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Orikum, Bashkia Vlorë – Në zonën e quajtur “Sotiran”, mes fshatrave Tragjas dhe Dukat, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në terren të thepisur.
Forcat zjarrfikëse kanë vijuar monitorimin gjatë natës dhe ndërhyrjet e mëngjesit përfshijnë 8 mjete zjarrfikëse, 4 forca bashkiake, 4 të Shërbimit Pyjor dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura.
Zerqan, Bashkia Bulqizë – Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, flakët po përhapet në një zonë pyjore me pisha dhe dëllinja. Deri tani vlerësohet se janë prekur rreth 18 hektarë. Pritet ndërhyrja e 25 personave shtesë për mbështetje.
Parku Kombëtar Lurë, Dibër – Në zonën e “Liqenit të Luleve” ka vijuar zjarri në sipërfaqe me pisha dhe livadh. Zjarri është aktiv, por me intensitet të ulët. Në ndërhyrjet e një dite më parë janë angazhuar 12 forca të MZSH dhe AdZM.
Në operacionet e fundit janë angazhuar 28 automjete zjarrfikëse, 237 forca operacionale dhe një helikopter “Cougar” për mbështetje ajrore.
Rreziku për zjarre mbetet i lartë në qarqet Fier dhe Vlorë. Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar dhe raportim të menjëhershëm të çdo vatre pranë strukturave përkatëse
Autoritetet bëjnë me dije se dëmet në terren janë të konsiderueshme.
“Janë djegur rreth 36 hektarë bimësi në zona të ndryshme, ndërsa në fshatin Zgërbonjë, Bashkia Poliçan, flakët kanë përfshirë 2,500 rrënjë ullinj mbi 10-vjeçarë. Policia e Shtetit ka shoqëruar një shtetas të dyshuar si autor i zjarrvënies së qëllimshme. Gjithashtu, në lagjen “11 Shkurti” në Kuçovë janë djegur 30 rrënjë pemë frutore, përfshirë kumbulla, fiq, hardhi dhe ullinj. Shkaku i zjarrit është përcaktuar si këputja e telave të tensionit të ulët.”
Në total, në operacionet e një dite më parë janë angazhuar 28 automjete zjarrfikëse, 237 forca operacionale, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura me mbështetje ajrore nga një helikopter “Cougar”.