Sheshi i pallateve 41 në lagjen “Beqir Dardha” në Njësinë Nr 1 po rikonstruktohet dhe po shpëton nga përmbytjet që përsëriteshin nga viti në vit sa herë që nisnin shirat në të gjithë atë bllok banimi. Punimet të cilat po vijojnë me intensitet i ka inspektuar kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja bashkë me drejtuesin politik të qarkut Z. Damian Gjiknuri.
Shumë banorë të lagjes 41 e njohur në Elbasan kanë mirëpritur kryetarin e Bashkisë duke pohuar se “jeni kryetari i parë që investoni në lagjen tonë, falenderime ta fund, që morët në konsideratë kërkesën tonë”, shprehen ata.
Investimi konsiston në 7 hyrje palletesh në këtë kompleks banimi në qendër të qytetit ku sipas Z. Llatja “kjo zonë ka pasur problematika të vazhdueshme për shkak të përmbytjeve, pasi ka qenë më pak në nivel se zonat e tjera duke shkaktuar problematikë të theksuar të qarkullimit të ujrave të shiut. Pas sistemimit të saj nisëm me sistemimin e sheshit të pallateve, ky është një model i mirë nga ana jonë, pasi ne po ndëhyjmë në të gjitha sheshet e pallateve në qytet, dhe kjo ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve”.
Sipas kryebashkiakut “në qytet investimi përpjestohet në mënyrë të drejtëperdrejtë me banorët e pallateve dhe më pak në fshat sepse popullsia është e vogël”. Duke u ndalur tek kompleksi i pallateve të lagjes 41 Z. Llatja shtoi se “investimi i këtij kompleksi ka qenë kërkesë e kahershme e banorëve, për sistemimin e kanaleve të ujrave të bardha dhe sistemimin e ujit të shiut me qëllimin shmangien e përmbytjeve sidomos në katet e para. Është një investim i plotë me ndriçim, trotuare, vend parkimi për rezidentët e lagjes, sikundër në bashkëpunim edhe me banorët kemi zgjeruar hyrjen. Ka pasur një mikpritje të këtij investimi afati i të cilit është i shkurtër, rreth dy muaj. Ndaj dua të falenderoj gjithkënd që bëhet aleat i transformimeve të qytetit”, tha Llatja.
Janë 500 banorë të kësaj lagjeje që më në fund nuk do të kenë probleme as me përmbytjet por do të kenë një kompleks totalisht ndryshe nga ai që kanë pasur më parë. Nga ana e tij drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri pohoi se “puna flet vetë në këtë lagje, dhe ashtu si thanë edhe vetë banorët asnjë nuk kishte kryer punime në këtë kompleks në qendër të qytetit, por kryetari i Bashkisë e mbajti fjalën. Pse themi ne për Gledin, sepse Gledin e kemi djalin e qytetit që mendon për urbanizimin e qytetit, të tjerët mendojnë për bunkerizimin e qytetit, për politikë. Ne jemi modeli i punës dhe Gledi nuk është vetëm, ai ka mbrapa qeverinë,ndaj ka detyrë të bëjë projekte, të komunikojë me qytetarët, të administrojë mirë fondet e Bashkisë, por edhe qeveria shqiptare të ndihmojë. Kjo është zgjidhja qeveri Bashki, dhe unë them se me Gledin ne po e realizojmë këtë përditë. Këto janë shenjat e para, këtu nuk ishte ndërhyrë asnjëherë, dhe kam dëshirë që të jem me ju këtu kur ta inagurojmë këtë investim dhe të bëjmë gëzuar me banorët”.
Të moshuarit e jo vetëm kanë falenderuar kryebashkiakun pasi sipas tyre asnjëherë nuk e kishin parë lagjen e tyre të kthyer në një kantier ndërtimi, por vetëm premtime dhe asnjë investim. Investimi po vijon me shtrimin e shesheve për të vijuar me kanalizimin e ujravet ë bardha e të zeza, një investim i plotë.