Singapori ekzekuton një grua për herë të parë pas 20 vitesh/Iu gjetën 30gr heroinë

Autoritetet në Singapor kanë ekzekutuar të premten një grua të dënuar me vdekje, ngjarje që ndodh për herë të parë pas dy dekadash.

Gruaja 45-vjeçare, Sarideëi Djamani, ishte shpallur fajtore për trafikimin e 30 gramëve heroinë në vitin 2018. Ajo është personi i dytë që ekzekutohet nga shteti brenda kësaj jave dhe i 15-ti që prej muajit mars.

Singapori ka në fuqi disa nga ligjet më të ashpra kundër narkotikëve, që sipas autoriteteve janë të domosdoshme për të mbrojtur shoqërinë.

Ligji specifikon se dënimi me vdekje zbatohet për këdo që kapet me më shumë se 500 gramë kanabis apo 15 gramë heroinë.

Zyra Qendrore e Narkotikëve tha në një deklaratë se gruaja i ishte nënshtruar një procesi të rregullt dhe të ligjshëm dhe u dënua me vdekje më 6 korrik të vitit 2018. Dhjetorin e kaluar, Gjykata e Lartë kishte hedhur poshtë kërkesën për anulimin e dënimit me vdekje, ndërsa as kërkesa për falje presidenciale nuk u pranua.

Pavarësisht kritikave nga grupet e të drejtave të njeriut, autoritetet pretendojnë se ligji për dënimin me vdekje për trafik droge gëzon mbështetje të gjerë në publik.