Si u parandalua në momentet e fundit një atentat në Elbasan! Kush janë dy të arrestuarit, njërit iu vra vëllai në Belgjikë

Një ngjarje e rëndë kriminale duket se është parandaluar nga Policia e Elbasanit, duke çuar në pranga dy persona, si dhe duke sekuestruar një sasi armësh dhe municionesh.

Policia e Elbasanit tha gjatë ditës së djeshme ka ndërhyrë në kohë brenda një banese në lagjen “Gurabardhi”, të qytetit të Elbasanit ku është gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh zjarri, disa prej tyre të pajisura me silenciatorë, gati për veprim.

ARRESTIMET

Operacioni i koduar “Prevention” ka çuar në pranga shtetasin Luis Gaxhi, në banesën e të cilit janë gjetur 4 armë zjarri kallashnikovë, dy prej të cilave të modifikuara dhe me silenciatorë, 3 pistoleta me silenciatorë, 2 mina me telekomandë, të gatshme për t’u aktivizuar për shpërthim me komandim në distancë, nëpërmjet aparateve celulare; kapsolla detonatorë; një sasi lënde plasëse, e dyshuar “C4”, si dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak, blindëshpues. Si rezultat i hetimeve paraprake dhe dyshimeve të bazuara në prova, u arrestuan në flagrancë shtetasit Luis Gaxhi, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve në Belgjikë.

Ky shtetas u arrestua për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” , “Mbajtja dhe prodhimi i armëve luftarake në sasi të mëdha” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në pranga përfundoi gjithashtu edhe Rigers Spahiu, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, për veprat “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ky shtetas dyshohet si bashkëpunëtor në aktivitetin kriminal të shtetasit Luis Gaxhi.

ARMËT PËR LLOGARI TË GRUPEVE KRIMINALE

Në momentin e gjetjes dhe sekuestrimit të armëve të zjarrit, krahas forcave të rendit, në operacion janë përfshirë edhe skuadrat xheniere të Njësisë Antieksploziv të Repartit Special RENEA, të cilat kanë bërë të mundur çaktivizimin e minave të telekomanduara, të cilat paraqisnin rrezikshmëri për jetën e banorëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.

“Mbështetur dhe me inteligjencë informative të siguruar në kohë reale nga ana e strukturave të Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, duke koordinuar veprimet dhe hetimet me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me qëllim parandalimin e një ngjarjeve të mundshme kriminale me pasoja të rënda për jetën, më datë 20.10.2022 është finalizuar operacioni policor i koduar ‘Prevention’. Për arsye të dobisë së mbarëvajtjes së hetimeve dhe dokumentimit të plotë të veprimtarisë kriminale, na lejoni të jemi të rezervuar në dhënien e informacioneve të mëtejshme”, tha drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, drejtues i Parë, Ardian Çipa. “Referuar hetimeve proaktive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ekzistojnë indicie të bazuara në prova, se armët dhe minat e telekomanduara do të përdoreshin për ekzekutimin e personave, për llogari të grupeve kriminale të evidentuara nga ana e Policisë”, shtoi ai.

I arrestuari, kunati i Erjon Alibejt

Ndërsa konsiderohet bashkëpunëtor i 37-vjeçarit të arrestuar për një arsenal të tërë armësh dhe municionesh në banesën e tij, Rigers Spahiu rezulton të jetë vëllai i Arjan Spahiut, i ekzekutuar në Belgjikë në nëntor të vitit 2020, ngjarje e lidhur me trafikun e kokainës. Rigers Spahiu akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”./panorama.al