Si është të punosh me partnerin na e tregon Arbana dhe ekspertët e marrëdhënieve

Partnerë në profesion dhe në jetën private: sa e mundur është kjo? Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj janë rasti më i komentuar ndër emrat e njohur shqiptarë; një çift që ngjall gjithmonë kurreshtje në sytë e publikut, ndoshta për faktin se historia e tyre nisi të përflitej shumë, deri sa dyshja vendosën ta bënin lidhjen zyrtare.

Arbana, një ndër moderatoret e preferuara të ekranit, ndërsa Eduarti, regjisor i “Dua të të bëj të lumtur”. Një nga pyetjet e ndjekësve të Arbanës ka qenë kjo: “Si është të punosh me Edin?” Duke mos rezervuar detaje nga realiteti, Osmani është përgjigjur: “Mirë është. Ka raste që dua ta vras, ka raste që do të më vrasë, por në fund është i vetmi njeri pa të cilin nuk do të mund ta bëja këtë emision.”

Në një këndvështrim më të gjerë, puna e përbashkët me partnerin është studiuar jo pak nga ekspertët. Sipas tyre, ka disa avantazhe të së punuarit me personin që u ka rrëmbyer zemrën. Zakonisht, konsiderohen njerëz me fat, pasi natyrshëm u rritet rezistenca ndaj situatave stresuese, ashtu sikurse mundësitë për të gabuar në profesion ulen ndjeshëm. Gjithashtu, lidhja familje-punë sjell edhe mirëmenaxhimin e roleve në biznes dhe familje.

Arsyeja pse Arbana do ta “vrasë” Eduartin dhe anasjelltas vjen si rrjedhojë e disa disavantazheve të vogla, që ekzistojnë në marrëdhënie të kësaj natyre. Tendenca për vendimarrje nga të dyja palët shpesh bëhet shkas për përplasje idesh dhe vonesa në zgjidhjen e çështjeve. Megjithatë, ekspertët thonë se një detaj i tillë nuk është kaq shqetësues, ndërsa vazhdimësia ndër sezone e “Dua të të bëj të lumtur” e vërteton edhe më shumë këtë gjë. /News31.al