Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare aktori i njohur Enver Petrovci, një nga figurat më të spikatura të skenës dhe ekranit shqiptar.
Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Fillimisht ndoqi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të qytetit të lindjes, në degën e aktrimit, ndërsa më pas i përfundoi ato në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.
Gjatë karrierës së tij të hershme, Petrovci u bë i njohur në gjithë ish-Jugosllavinë, sidomos për interpretimet e tij në Teatrin “Atelje 212” në Beograd, ku u vlerësua si një ndër aktorët më të shquar të kohës.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai vazhdoi veprimtarinë artistike me intensitet, duke kontribuar në zhvillimin e teatrit dhe kinematografisë në Kosovë, Shqipëri dhe në mbarë hapësirën shqiptare.
Sakaq, Teatri Kombëtar i Kosovës ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Petrovcit, ndërsa njoftoi se informacionet lidhur me ceremoninë mortore pritet të bëhen të ditura në vijim.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë për ndarjen nga jeta të aktorit dhe profesorit të shquar, Enver Petrovci.
Teatri Kombëtar i Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, kolegëve, miqve dhe gjithë publikut që e ka çmuar dhe e ka dashur veprën e tij artistike dhe pedagogjike.
Informacionet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të bëhen të ditura në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.