Tuesday , April 15 2025

Shtohen rastet me sëmundje kronike pulmonare në Shqipëri

Një nga problemet shëndetësore me të cilat po përballet popullata shqiptare, është rritja e sëmundjeve pulmonare kronike. Një raport i Institutit të Shëndetit Publik të realizuar në disa qarqe të vendit evidenton se shumica e pacientëve, mbi 70% e tyre janë në stadin e tretë dhe të 4 të sëmundjes.

Sipas të dhënave paraprake, grupmosha e personave të cilët kanë një gjendje të rënduar të sëmundjes i përket atyre mbi 50 vjeç.

37.7% e pacientëve të marrë në studim janë në stadin e tretë të sëmundjes dhe 35.4% në stadin e katërt, e ndjekur nga stadi i dytë të sëmundjes me 14.5%.

Sëmundjet kronike të frymëmarrjes, ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës së individëve të prekur dhe potencialisht çojnë në vdekje të parakohshme.

Sipas rezultate te raportit të specialistëve të shëndetit publik të realizuar në Tiranë, Elbasan, Fier, Kukës dhe Korçë, duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, dieta ushqimore, obeziteti, ndotja e ajrit si edhe profesioni ishin ndër faktorët risk kryesorë të cilët kanë ndikuar në zhvillimin e problematikave pulmonare (SPOK) në 82.1% rasteve dhe kryesisht tek meshkujt mbi > 50 vjeç.

Edhe raportet ndërkombëtare tregojnë se prevalenca e sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (COPD) në Evropë pritet të rritet për shkak të rritjes së faktorëve të rrezikut si duhani dhe ndotja e ajrit./Tv Klan