Shqiptarja Etel Haxhiaj ka mposhtur kundërshtarin e saj Gregory Stratman, duke marrë një vend në Këshillin Bashkiak të Qarkut 5, në Worcester, SHBA, ku mori gati 56% të votave. “Jam shumë e lumtur që tani gjysma e qytetit të Worcester-it di si ta shqiptojë emrin tim,” tha Haxhiaj.
41 vjeçarja Haxhiaj vuri në dukje me krenari se ajo ishte refugjatja dhe emigrantja e parë me origjinë shqiptare dhe e para myslimane që u zgjodh në Këshillin e Qytetit të Worcester-it, moment të cilit ajo ia atribuoi fokusit dhe angazhimit të fushatës së saj.
Haxhiaj u vendos në Worcester në vitin 2001 me prindërit e saj, pasi u largua nga trazirat politike në Shqipëri. Ajo mori “Green Card” dhe përfundoi studimet universitare dhe pasuniversitare në Universitetin Clark.
Aktualisht punon si drejtore e edukimit publik dhe avokimit në Aleancën Qendrore të Strehimit në Massachusetts. Ajo është nënë beqare e dy djemve të vegjël.