Sunday , April 13 2025

Shqipëria rrëmben dy medalje/ Shermen Valiev, kampion Evrope

Një medalje ari dhe një bronzi dhe Shqipëria e mundjes shkëlqen në Kampionatin Europian të të rriturve në Bratislavë të Sllovakisë. I artë Shermen Valiev në peshën deri në 74 kilogram, i cili në finale ka mundur mundësin rus nën siglën e Federatës Botërore të Mundjes, Sidakov, 4-2. Ka qenë një duel i vështirë për Valiev, që raundin e parë e ka mbyllur 3-2.

Në të dytin Sidakov ka rekuperuar, teksa ka barazuar 4-4. Mirëpo një video challenge e kërkuar nga trajneri Leonard Çakmashi për pikë të padrejta ndaj mundësit tonë i kanë dhënë të drejtë Valiev. Sidakov e ka humbur sfidën dhe përfundimisht Shermen Valiev është Kampion Europe. E dyta e artë që merr për vitin 2025 Valiev, ndërsa më parë i tillë ishte dhe në Turneun Ndërkombëtar “Muhamet Malo”.

Ndërkohë i bronztë Zelimkan Abakarov në peshën deri në 61 kilogram, ndërsa në finalen për vendet 3-5 ka mundur 6-0 moldavin Kolesnic. Një ndeshje e dominuar nga Abakarov, që raundin e parë e kishte fituar 3-0. E më pas thellon dhe në të dytin dhe 6-0. Shkëlqim dhe kënaqësi pafund për mundjen shqiptar, që vazhdon të stivosë medaljet me mundësit e natyralizuar si kuqezi.

Ndërkohë është eliminuar që në fillim Albina Drazhi në peshën deri në 68 kilogram, teksa ka humbur ndaj mundëses ruse nën siglën e Federatës Botërore të Mundjes, Shaushuk, e cila më pas ka arritur në finalen për medaljen e artë. E si e tillë Drazhi tanimë ka fituar të drejtën e ripeshkimit, ndërsa do të jetë përballë turkes Çavusoglu për një medalje të bronztë. Pas saj në mundjen greko-romake Prenga në peshën deri në 67 kilogram dhe Kupi në peshën deri në 77 kilogram.