Shqipëria kërkon tri pikët ndaj Andorrës – Historia flet për kuqezinjtë

Para ndeshjes së radhës në Andorrë më 13 nëntor, e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Botërorit 2026, Shqipëria ka një histori të qartë dominimi ndaj Andorrës. Të dhënat tregojnë se kuqezinjtë janë përballur tetë herë me këtë rival, duke regjistruar gjashtë fitore, një barazim dhe një humbje.

Përballja e parë u zhvillua më 6 shkurt 2000 në Ta’ Qali, Maltë, në Turneun Rothmans, ku Shqipëria fitoi 3-0 me golat e Edmond Dalipit (63’, penallti), Rudi Vata (86’) dhe Johan Driza (90’).

Humbja e vetme erdhi më 17 prill 2002 në Andorra, në një miqësore në stadiumin “Estadi Comunal d’Andorra la Vella”, ku vendasit fituan 2-0 me golat e Emiliano González (33’, penallti) dhe Manolo Jiménez (63’).

Më 2 qershor 2010, Shqipëria triumfoi 1-0 me gol të Hamdi Salihit (44’) në një tjetër miqësore në stadiumin “Qemal Stafa”.

Në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020, më 25 mars 2019 në “Estadi Nacional të Andorra la Vella”, Shqipëria fitoi 3-0 me golat e Armando Sadikut (21’), Bekim Balajt (87’) dhe Amir Abrashit (90+6’). Kthimi në Shqipëri, më 14 nëntor 2019 në Elbasan Arena, përfundoi 2-2, me golat e Bekim Balajt (6’) dhe Rey Manaj (55’) për Shqipërinë dhe Cristian Martínez (18’, 48’) për Andorrën.

Në kualifikueset për Botërorin 2022, Shqipëria fitoi 1-0 në “Estadi Nacional”, më 25 mars 2021, me gol të Ermir Lenjanit (41’). Më 15 nëntor 2021, në “Air Albania Stadium”, kuqezinjtë fituan 1-0 me penallti të Endri Çekiçit (73’).

Ndërsa më 24 mars 2025, në kualifikueset për Botërorin 2026, në ndeshjen e zhvilluar në “Air Albania Stadium” në Tiranë, Shqipëria triumfoi 3-0 me golat e Rey Manajt (9’, 19’) dhe Myrto Uzunit (90+2’).

Përballjet e fundit tregojnë qartë dominimin e Shqipërisë përballë Andorrës, teksa të enjten, Kombëtares kuqezi i nevojiten tri pikë për të siguruar kualifikimin në play-off-in e Botërorit 2026, si e dyta në Grupin K pas Anglisë, e cila tashmë është e kualifikuar në Botëror.