Është nxjerrë trupi i pa jetë i 32-vjeçarit, Arjan Sala, i cili mbeti i bllokuar në magazinën tek mbikalimi i Kamzës tre ditë më parë. Burime për Abcneës.al bëjnë me dije se trupi i pajetë i 32-vjeçarit është gjetur orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, konkretisht rreth orës 01:40. Trupi ka disa djegie në pjesë të ndryshme, por si strukturë është e rregullt.
Ka qenë xhaxhai i viktimës ai i cili ka identifikuar trupin e nipit të tij, megjithatë trupi është dërguar në morgun e Tiranës ku do të kryhet edhe një ekspertizë e thelluar. 32-vjeçari ishte me detyrë përgjegjës i punonjësve të shërbimit të sigurisë të një kompanie private. Të mërkurën rreth orës 15:40 është njoftuar nga kolegët e tij se kishte rënë zjarr në magazinën ku punonte.
Sipas dëshmive, ai menjëherë ka marrë një bombol që shërben për fikjen e zjarrit dhe ka hyrë në magazinë duke nxjerrë çdo punëtor. Në momentet e fundit teksa përpiqej të shuante flakët, 32-vjeçari nuk ka mundur të dalë në kohë, duke humbur kështu edhe jetën.
Zjarri vazhdoi për tre ditë dhe zjarrfikësit nuk mundën ta shuanin për shkak të materialeve të ndezshme, pasi magazina ishte e tej mbushur. Sipas një eksperti të shërbimeve zjarrfikësve, ditën e djeshme temperatura në magazinën që digjej kishte shkuar afro 1 mijë gradë, duke e bërë të pamundur shpëtimin e të riut i cili ra në krye të detyrës. E.L /abcnews