Gjatë mëngjesit të sotëm ndërroi jetë një pacient 43-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive, duke shënuar viktimën e katërt të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore gjatë mbrëmjes, 43-vjeçari nga Kavaja është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë. 43-vjeçari nga Kavaja, përpos obezitetit nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.
Ministria e Shëndetësisë në një reagim për mediat, “i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes”.
Mbrëmë ndërroi jetë në spitalin Infektiv në QSUT një 71-vjeçar nga Kuçova i infektuar me koronavirus. I trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, prej 7 ditësh ai ishte shtruar në spitalin Infektiv pasi u infektua edhe me koronavirus, nuk bënte pjesë tek 4 pacientët që ishin në terapi intensive, por gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial, që i mori jetën. 71-vjeçari sipas ministrisë së Shëndetësisë, vuante nga disa sëmundje shoqëruese, kanceri në mushkëri, në stad tejet të avancuar, diabeti mellitus, fibrilacioni arterial dhe hipertensioni.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.