Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar menjëherë pezullimin nga detyra, të 2 punonjësve të Policisë, Ervis Hasa dhe Redi Mato, punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Elbasanit dhe në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre, për shkelje të rëndë disiplinore. Procedimi disiplinor ka nisur krahas procedimit penal të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Ervis Hasa është konfliktuar për motive të dobëta, me Redi Maton, 23 vjeç (punonjës policie, në Komisariatin e Elbasanit), gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit.
Gjatë konfliktit, Redi Mato në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, ka goditur me send të fortë Ervis Hasën, i cili ka marrë mjekim në spitalin e Elbasanit dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po kryen hetimet e mëtejshme për këtë rast, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, gazetari Besar Bajraktaraj thotë se efektivët dyshohet të jenë përfshirë në konflikt për një vajzë./tvklan.al