Shefi i Krimeve të Elbasanit mori dhuratë nga Erion Alibej “Benz c300”, një muaj para se të vriteshin Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj

NIKOLETA KOVAÇI/ Ndër emrat e shumtë që përmendi Nuredin Dumani në rrëfimin e tij pasi u konsiderua si “i penduar”, sigurisht pasi u vu në dijeni të rrëfimit të gjatë të shokut të tij, Henrik Hoxha, ishte emri i Leonard Palushit.

Ai tregoi se ishte një shef policie që i ndihmoi në një rast ndryshimi hetimesh në lidhje me autorët e vrasjes së një personi në Elbasan. Pas verifikimeve, policia ra në gjurmët e gabimit që kishte bërë menjëherë pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, teksa shkoi me një informacion konfidencial në servisin e familjes Manhasa dhe vuri në pranga babë e bir, pasi aty u gjend arma me të cilën ishte vrarë Ramazani. Përkundër mospranimit të autorësisë nga babë e bir, policia dhe prokuroria e Elbasanit i mbajtën në qeli, ndërkohë që në fakt, ndërrimin e hetimeve dhe kërkimeve, sipas Prokurorisë së Posaçme e kishte bërë pikërisht punonjësi i policisë që shërbente në rolin e shefit të sektorit, Leonard Palushi.

Ky i fundit u vu në pranga gjatë operacionit Plumbi i Artë, bashkë me një mori emrash të dalë nga dëshmitë e Dumanit dhe të Hoxhës, ndërkohë që akuzohej për shpërdorim detyre. Mirëpo dëshmitë konkrete mbi çdo rast të dëshmuar nga Dumani, nxorën në pah se Palushi kishte, ndër të tjera, përfituar edhe të mira materiale nga bashkëpunimi me grupin kriminal, që sipas SPAK drejtohej nga Erion Alibej, i riu që kërkoi ndihmën e Dumanit për të vrarë kundërshtarët e tij dhe për tu hakmarrë për ngjarjen e përgjakshme të njohur si Masakra e Bradasheshit, me tre të vrarë, dy prej të cilëve vëllai dhe xhaxhai i Erionit.

SPAK përgjatë verifikimeve të mëvonshme, tregon se ka arritur në konkluzionin se shefi i Krimeve të Elbasanit konsumuar veprën penale të korrupsionit pasiv, pasi është vërtetuar se ai ka marrë makina nga Erion Alibej për t’i shërbyer këtij të fundit me informacione dhe ndryshime hetimesh. Për pasojë ditën e djeshme u bë me dije se SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim ish-shefin e krimeve në Elbasan, Leonard Palushi. Në përfundim të hetimeve, SPAK ngriti ndaj tij akuzën e “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

NJOFTIMI ZYRTAR I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim procedimin penal nr.75/1, në ngarkim të të pandehurit Leonard Palushi, akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Nga hetimet ka rezultuar se, në vitin 2020 i pandehuri Leonard Palushi ka qenë efektiv i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan ku ka ushtruar detyrën e shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i pandehuri Palushi ka krijuar raporte me të hetuarin E. A. (Erion Alibej) dhe ka marrë tërthorazi prej tij përfitim të parregullt për të kryer në vijimësi veprime që lidhen me detyrën e tij si punonjës policie (në mbështetje të E. A.)!

Hetimi ka provuar se i pandehuri Leonard Palushi ka marrë në datën 23.06.2020 nga i hetuari E.A. një përfitim të parregullt automjet tip “Mercedes Benz”. I pandehuri Leonard Palushi duke qenë i ndërgjegjshëm që ky veprim ishte në kundërshtim me ligjin, ka kryer veprime kamufluese për të mbuluar faktin e dhurimit dhe pronarin e vërtetë të këtij mjeti, duke paraqitur si blerës një shtetas të njohur të tij. Në vijim, i pandehuri Leonard Palushi e ka mbështetur të hetuarin E. A., me veprime në kuadër të detyrës së tij si punonjës policie në mënyrë të vazhdueshme, duke u takuar me të, takime këto për të cilat eprorët e tij deklaruan se nuk ishin në dijeni.

Më konkretisht, në datën 27.07.2020 me kërkesë të E.A. i pandehuri Leonard Palushi ka dhënë informacionin mbi vendndodhjen e armës te servisi i Manhasëve, me qëllim që sipas kërkesës së E.A, të krijohej konflikt midis dy grupeve. Mjeti “Mercedes-Benz”, C300, benzinë, përbën produkt të veprës penale sipas nenit 36 të Kodit Penal. Ky mjet është tjetërsuar më pas duke u shkëmbyer me mjetin tip “TOYOTA RAV4”, automat, ngjyrë gri e errët. Për mjetin “TOYOTA”, RAV4, automat, ngjyrë gri e errët, Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 67, datë 30.01.2023, ka vendosur masën e sekuestros preventive.

Për sa më sipër, i hetuari Leonard Palushi u mor i pandehur dhe dërgua për gjykim për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 Kodit Penal.

HETIMET KONKRETE

Referuar të dhënave hetimore bëhet me dije se “Benzi C300” iu dhurua Leonard Palushit një muaj para vrasjes së Emiljano Ramaznit dhe të riut Regis Runaj. Sipas SPAK-ut, verifikimet e prokurorëve të çështjes çuan në zbulimin e gjurmëve të kësaj makine që Erion Alibej ia dhuroi specialistit të hetimit të krimeve të rënda në Elbasan, Leonard Palushi. Dhurimi i këtij “Benzi”, sipas të dhënave është bërë në datën 23 qershor 2020, vetëm një muaj para se të vritej në Elbasan, në afërsi të shtëpisë së tij, Emiljano Ramazani ose “Ili”, vrasje që sipas të dhënave e mori përsipër, edhe në dëshmi, Henrik Hoxha. Ai i tha prokurorisë së Ramazanin e vrau bashkë me nipin e tij dhe më pas arma e cila u përdor në atentat u kthye tek Nuredin Dumani.

Ka qenë pikërisht kjo armë që është hedhur në servisin e familjes Manhasa, të cilët më pas u vunë nën akuzën e vrasjes, pasi ishte vetë Palushi, thotë prokuroria, që çoi policinë në këtë servis. Pas vrasjes së Ramazanit, vetëm pak ditë më pas, u krye një tjetër krim i rëndë në Elbasan ku në mënyrë barbare i merret jeta të riut, Regis Runaj, për vrasjen e të cilit policia dhe prokuroria e Elbasanit arrestuan autorin, i cili më saktë pranoi të “dorëzohej” për të dëshmuar pendimin e tij të madh për atë akt kriminal me të cilin i mori jetën një të njohurit të tij, me idenë se paratë e asaj vrasjeje do t’i merrte ai.

VERIFIKIMET PAS DËSHMISË SË DUMANIT

Lidhur me detajet e rrëfimit të Nuredin Dumanit, Prokurorisë së Posaçme mësohet se iu kanë dashur të kryejë hetime dhe verifikime shtesë në disa drejtime. Sipas të dhënave në datën 17 tetor të vitit të kaluar, SPAK-u ka kërkuar informacione nga Drejtoria e Përgjithshme Shtetërore e Transportit Rrugor, për posedimin e automjeteve që ka në pronësi shtetasi Leonard Palushi, apo qoftë automjete që ai ka përfituar me dhurim apo këmbim. DPSHTR në Tiranë, me shkresën Nr. 23475/1 të datës 19 tetor, pra dy ditë pas kërkesës ka konfirmuar disa automjete që kanë qenë në pronësi të oficerit të policisë kriminale, Leonard Palushi. Dokumentet e këtyre automjeteve janë administruar nga prokurorët e SPAK, të cilët më pas i kanë verifikuar tek dy noterë në qytetin e Elbasanit.

Në Elbasan, SPAK ka lokalizuar noterin ku prej tij ka mësuar dhe emrin e personit që ka dhuruar automjetin tip “Benz-Mercedez C300” te një person tjetër që është i afërm me Leonard Palushin. Pas disa kohësh, Leonard Palushi mjetin tip “BenzMercedez C300” e ka ndërruar me një automjet tip “Toyota RAV 4”. Nisur nga kjo situatë, SPAK ka vendosur të ndryshojë akuzën për oficerin e policisë së Elbasanit nga ‘Shpërdorim detyre’ në “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Tashmë Palushi do të dalë para gjykatës pikërisht për këtë akuzë, ku në fakt përgjatë gjithë periudhës së hetimit ai ka kundërshtuar të ketë qenë pjesë e grupeve kriminale në Elbasan./panorama