Një ekspozitë unike është hapur brenda ambienteve të Xhamisë së Et’hem Beut në qendër të Tiranës.
Interesante është se janë sauditët ata, më saktë Ambasada e Arabisë Saudite, që së bashku me KMSH-në, kanë çelur ekspozitën kulturore me titull “Mbulesa e Qabesë së Bekuar”. Kjo, në një xhami të stilit osman. Dhe siç dihet, sauditët nuk janë treguar fort dashamirës me trashëgiminë osmane në tokën e tyre, njëherësh, duke tentuar rivalitet me ta, me theks më shumë nacional se fetar, për lidershipin e botës islame.
Sipas njoftimit zyrtar të KMSH-së, “kjo ekspozitë e mbulesës së Qabesë vjen për herë të parë në Shqipëri si ekskluzivitet kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ndër sendet e ndryshme me vlerë që janë ekspozuar dhe që do të vazhdojnë të ekspozohen gjatë ditëve në vijim, është edhe një copëz nga mbulesa e Qabesë, e cila do të përdoret në sezonin e ardhshëm të ritualit të Haxhit”.
Ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite u udhëhoq nga kreu i KMSH-së Bujar Spahiu dhe zv/ambasadori saudit në Tiranë, Ahmed el-Harbi.
Për kreun e muslimanëve shqiptarë, kjo ekspozitë ka rëndësi për “besimtarët në veçanti por edhe për të gjithë ata turistë që vizitojnë çdo ditë xhaminë simbol të kryeqytetit, duke u dhënë atyre mundësinë të njohin nga afër procesin e qendisjes dhe të mirëmbajtjes së mbulesës së vendit më të shenjtë në botë të fesë Islame”. /tesheshi/