Sa zgjasin antitrupat tek personat që e kalojnë Covid-19? Studimi i fundit jep lajme të mira

Antitrupat e zhvilluar nga trupi i njeriut pas infeksionit Covid janë akoma të pranishëm në nivele të qëndrueshme edhe 11 muaj pas infeksionit. Lajmi i mirë vjen nga një hulumtim i kryer nga laboratori i virologjisë i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive “Lazzaro Spallanzani” në Romë, botuar së fundmi në revistën Viruses.

Studiuesit analizuan, midis shkurtit të 2020-ës dhe janarit të vitit 2021, 763 mostra nga 662 pacientë Covid-19, të marra gjatë shtrimit në spital në Spallanzani ose pas kalimit të infeksionit dhe zbuluan se nivelet e antitrupave janë më të larta tek njerëzit mbi moshën 60-vjeçare dhe edhe më të larta ishin te personat që kishin përjetuar simptoma të rënda të frymëmarrjes.

Pjesa më domethënëse e hulumtimit ishte konfirmimi se shumica e pacientëve, që u ndoqën për të paktën 6 muaj deri në 11 muaj, mbajtën një nivel të qëndrueshëm të antitrupave neutralizues. Në rreth 60% të rasteve, antitrupat neutralizues arritën kulmin midis 1 dhe 2 muajve pas infektimit, pësuan një rënie të lehtë midis 2 dhe 3 muajve, ndërsa më pas mbetën të qëndrueshëm deri në 11 muaj pas infektimit.