Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka treguar dhe procedurën apo mënyrën që i duhet një kandidati për deputet, që të thyejë listën, renditjen, të dalë para “shokut” të tij në listë. Celibashi tha se fillimisht atij i duhet të marrë një votë më shumë se sa mesatarja e votave që ka marrë partia në atë qark. Nëse kolegët e tij janë vendosur më sipër në listë, por kanë më pak vota, atëherë kandidati ngjitet sipër në renditje.
Fevziu: Sa vota duhet të marri një kandidat që të thyejë listën?
Celibashi: Ai duhet të marrë një votë më shumë se mesatarja e votave që ka marrë ajo parti. Nëse numri mesatar i votave të partisë politike është 10 mijë, që ti të kualifikohesh edhe pse je i fundit nëse merr 10.001, ti sposton atë që ka marrë më pak vota.
Fevziu: Po nëse s’kanë marrë asnjë nga 1-15?
Celibashi: Ti sposton të 15-tin. Me kushtin që të gjithë ata kanë marrë zero vota, dhe i pari në listë që ka numër të vogël votash nën mesataren e partisë ti e sposton.
Në hyrje të qendrës së votimit do vendosim një poster të madh ku do jenë emrat e kandidatëve dhe numri që ata kanë në krah. Do jetë një poster i madh sa një televizor 65’.